Këpucët e Redonit… 2 vjeçarit që u vra nga forcat serbe, si sot 23 vite më parë

 Këpucët e Redonit… 2 vjeçarit që u vra nga forcat serbe, si sot 23 vite më parë

Foto e mësipërme tregon një palë këpucë, një dhuratë bërë për një 2 vjeçar. Redon quhej. Dy ditë pas nisjes së bombardimeve të NATO-s në kohën e luftës në Kosovë, Redoni 2 vjeçar së bashku me familjarët u dëbuan nga shtëpia e më tutje u futën me forcë në një lokal në Suharekë. Lokali u sulmua nga forcat serbe e aty mbetën të vrarë 45 persona. Në mesin e viktimave ishte Redoni, ndërsa në total u vranë 19 fëmijë.

“Në datën 26 mars të vitit 1999, familja Berisha u dëbuan nga shtëpia dhe u ndalën pranë picerisë Kalabria. Forcat serbe i detyruan të gjithë të futeshin brenda në lokal. Lokali u sulmua disa herë duke vrarë 45 anëtarë të familjes, nga të cilët, 19 ishin fëmijë. Gjatë sulmeve të forcave serbe, ata vranë Kushtrimin dhe Redonin dhe më pas Altinin.

Altini ishte nxënës i klasës së katërt dhe çanta e tij mban librat dhe fletoret sipas orarit të ditës së fundit që ai e përdori. Këpucët i përkisnin Redonit i cili ende nuk kishte mbushur dy vjet, ndërsa biçikleta kishte qenë një dhuratë nga prindërit për Kushtrimin, të cilën më pas e kishte ruajtur vëllai i tij.”-shkruan në një njoftim të sajin në rrjetin social Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

Kujtojmë se këtë të shtunë shënohet dhe përvjetori i 23-të i Masakrës së Krushës së Madhe, ku u vranë 243 civilë shqiptarë të paarmatosur nga pushtuesit serbë.