Kosovë, oficerët serbë e boshnjakë godasin shqiptarin…policia e kishte ngatërruar me një hajdut

 Kosovë, oficerët serbë e boshnjakë godasin shqiptarin…policia e kishte ngatërruar me një hajdut

Nazimi ishte nisur nga fshati Vinarc i Epërm drejt Mitrovicës, në momentin kur dy oficerë policor (një serb e një boshnjak) të veshur civilë, e ndaluan.

Nazim Hasani tregoi se njëri prej tyre e kapi nga duart. Në tentativë për t’u larguar, ai goditet me grushte në trup nga oficerët.

“Më kapën për dore. Njëri më kapi edhe unë u mundova me ik, se nuk i njihja, as ID nuk tregoi njeri… jam mundu me ik, por njëri më ka godit me grusht në bark.”,tha 48 vjeçari.

Siç shpjegoi Nazimi për klankosovën, dhuna vijoi edhe më tutje kur ai u fut në makinë e u dërgua drejt stacionit policor në Zubin Potok.

Me të shkuar atje, u kuptua se 48 vjeçari në fakt ishte ngatërruar me një të dyshuar për vjedhje. Këtë të premte zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës veriore, Besim Hoti, e konfirmoi se ishte bërë një ngatërresë.

Lidhur me ankuesin Hasani, ju njoftoj se policia ka shoqëruar të njëjtin në stacion në Zubin Potok gjatë zbatimit të veprimeve lidhur me vjedhjen në kishën e fshatit Zupqe. Personi i shoqëruar ka dhënë deklaratën e tij dhe më pas është liruar pasi është vërtetuar nga policia se i njëjti nuk i përgjigjet përshkrimit të të dyshuarit. I njëjti ka nënshkruar deklaratën e tij pa vërejtje ndaj policisë”, tha zyrtari.