Krujë, 370 pacientë paraqiten në spital me shenja helmimi, kush janë pistat e hetimit

 Krujë, 370 pacientë paraqiten në spital me shenja helmimi, kush janë pistat e hetimit

Përgjatë 72 orëve të fundit në spitalin e Krujës janë paraqitur afro 370 persona, të cilët kanë patur shenja të helmimit dhe kanë marrë shërbime mjekësore.

Dyshimet janë se qytetarët janë helmuar nga uji i pijshëm dhe për këtë autoritetet kanë marrë mostrat e kanë kryer analizat laboratorike.

Në lidhje me ngjarjen foli Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu, e cila vizitoi spitalin e Krujës. Aktualisht në spital janë të shtruar 30 persona. Mes të prekurve nga një helmim i mundshëm, kanë qenë dhe fëmijë e adoleshentë. Sipas autoriteteve, dy janë pistat e hetimit, helmimi nga uji ose ushqimi.

“Rreth 370 qytetarë kanë marrë shërbim. Situata është e qetë, pa komplikacione. Qytetarët kanë marrë shërbimin e nevojshëm janë konsultuar. Sot janë paraqitur rreth 60 qytetarë. Kanë marrë shërbim dhe janë nisur për në shtëpi pasi situata shëndetësore s’ka qenë  e rënduar, janë edhe disa pacientë të tjerë që janë duke marrë shërbim. Janë rreth 30 qytetarë, janë edhe adoleshentë fëmijë dhe të rritur.

Janë marrë mostrat e ujit dhe ushqimeve, hetimi po bëhet në të gjitha aspektet. Rezultati i analizave mikrobiologjike ka një afat të caktuar, kur të kemi  rezultatet do kemi një raport të detajuar”, tha Ministrja e Shëndetësisë.

Shenjat kryesore që kanë patur qytetarët janë të vjellat, dhimbjet e barkut, diarreja dhe temperatura në disa raste. Nëse do të ketë raste të shtuara, spitali i Durrësit do të vendoset në gadishmëri për të pritur pacientët.

Çfarë thonë qytetarët

Vajza me të vjella e temperaturë, ka tre dit. Nuk dimë sesi t’ja vëmë emrin… shih një e vogël 13 vjeçe me të vjella e bark gjithë natën, për tre ditë. Këta thonë uji, por nuk e di. S’po dimë gjë. Doktorët po bënë punën e vet, mir duket, por çështja është ta zgjidhin sepse po e vuan e gjithë Kruja.”-tha një qytetar në prononcim për abc.

Jam me vajzën. Mbrëmë kam qenë me djalin, sot me vajzën. Nga uji, komplet nga uji. Tani janë më mirë. Në spital ka fluks, mbrëmë plot, sot plot. “-tha një tjetër qytetare.

E njëjta situatë u bë dy ditë. Problemi është tek uji. Medikamentet nuk na kanë munguar, por nuk e di sa do të zgjasë ky muhabet.”- u shpreh një tjetër qytetar.