“Kurrë nuk i kisha menduar këto vuajtje” Historia përlotëse e dy të moshuarve në Durrës

 “Kurrë nuk i kisha menduar këto vuajtje” Historia përlotëse e dy të moshuarve në Durrës

Nënë Hajrien shpesh herë e gjen me sytë fiksuar lart në qiell. Shkëputet për disa momente nga kjo tokë, për t’ju lutur Zotit atje lart, për ditë pa sëmundje, për një vakt ushqim, për pak shpresë. Veçse shpresat për këtë grua në moshë të thyer, janë fare të pakta.

Në shtëpi e pret i shoqi, Nuzi Luga. Të dy të moshuarit jetojnë në një banesë 60 vjeçare, të cilën tërmeti i 26 nëntorit e ka përkulur tërësisht.

Atje brenda nuk gjen asgjë. Këta dy të moshuar jetojnë vetëm dhe është fryma e tyre i ngrohti i vetëm që del nga kjo shtëpi. Asgjë tjetër. Muret janë hapur, çatia është çarë dhe vizitori i vetëm ka qenë i ftohti

“Jam e vuajtur shumë në jetë. E rraskapitur, nuk kam parë një ditë të mirë. Unë jam e sëmurë në zemër, në të gjitha anët. Burri është i sëmurë. Këtu brenda nuk rrihet, është shumë ftohtë, shtëpia ka lagështirë prandaj nuk jemi mirë ne nga shëndeti, ne mblidhemi në batanije të holla dhe flemë”-thotë 71 vjeçarja.

“Jetë e vëshirë, nuk po kalojmë dot. Tani dhe nga tërmeti u bë më vështirë. Këtu fryen kudo. Vallaj njeriu e përballon, por këtu e shihni vetë… këtu gjumi na zë ngjeshur me njëri- tjetrin.”-thotë Nuzi.

“U dëshirova të lahem me dush. Me kanaçe jam larë gjithë jetën. Shtëpia është 60 vjeçare. Me rastin e tërmetit u shemb dhe ngela kështu. Nuk kam para të marr një banesë me qira. Të marr ilaçet e zemrës, të tensionit apo të ha bukë… apo të paguaj drita e ujë. Nuk e kam menduar këtë vuajtje kurrë. Kam punuar tek magazina e zarzavateve. Pantoflat më këputeshin dhe i lidhja me tel… shumë kam vuajtur, shumë. I lutem Zotit, edhe këto ditë se nuk i dihet sesa ditë na kanë mbet… që kjo shtëpi të rregullohet e t’i jetoj këto ditë e lumtur.”-shton nënë Hajria.

“Nuk dimë nga të shkojmë. Ja flemë këtu burrë e grua në pleqni. Pensionet i kemi të vogla, 150 mijë lejkë pension marr. Dhe gruaja aq merr e me ato ushqehemi, lajmë gatuajmë e paguajmë drita e ujë… nuk na dalin. Po na zuri na zuri, me shpresën e Zotit, atij lart po rrimë. Por të paktën të mos vuanim, të iknim si të gjithë të tjerët.”-thotë Nuzi.

Pavarësisht jetesës në kushte të tmerrshme, nënë Hajria nuk e ka braktisur në asnjë çast besimin e saj. E në fakt besimi në Zot, e ka mbajtur në këmbë dhe nuk e ka braktisur në ditët e saj më të vështira.

Kjo është historia e këtyre të moshuarve që i bënë thirrje për ndihmë emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët”. Dhe thirrja e tyre kurrsesi nuk shkoi pa u dëgjuar