La politikën për të drejtuar një kamion plehrash: Vij e lodhur në shtëpi, por të paktën më zë gjumi

 La politikën për të drejtuar një kamion plehrash: Vij e lodhur në shtëpi, por të paktën më zë gjumi

Disa politikanë vijojnë karrierën e tyre pas politikëbërjes në ndonjë kompani PR (marrëdhënie me publikun) apo në ndonjë tjetër ndërmarrje. Disa të tjerë preferojnë të japin konsulta. Por kjo grua zgjodhi të drejtojë një makinë plehrash.

Quhet Ann Sofie Hermansson, ish kryebashkiake dhe politikane për shumë vite. Ana jeton në Suedi dhe prej disa kohësh tashmë, ka lënë prapa ‘kollaren’ e politikës për të drejtuar një kamion plehrash në një ndërmarrje publike për menaxhimin e mbetjeve në qytetin ku jeton.

Media e njohur “Politico” i ka kushtuar një artikull kësaj gruaje, me një histori të pazakontë.

“Ndonjëherë njerëzit me pyesin se çfarë dreqin po bëj, por për mua puna është një zgjedhje e mirë…. fundja duhet të paguaj qeranë”-thotë Ana.

Foto te shkeputura nga twitter i Anes

Ana ka patur një karrierë të suksesshme si politikane, fillimisht si një këshilltare në një Ministri në Stokolm e më tutje si një zyrtare e lartë në Gothenburg. Ajo u la ‘mënjanë’ nga vetë partia ku militonte pas zgjedhjeve jo të suksesshme të vitit 2018. E që nga ajo kohë, Ana vendosi të lërë politikën.

Vendosi të vërë në punë një patentë për makina me tonazh të rëndë, patentë të cilën e kishte marrë pas këshillave të të atit vite më parë. Shpesh ndodh që njerëzit ta ndalojnë në rrugë e të flasin me të për politikën.

“Të paktën askush nuk është i mërzitur me mua dhe kjo bën një diferencë”-thotë Ana.

Foto te shkeputura nga twitter i Anes

Përgjigja e publikut dhe medias për zgjedhjen e ish politikanes, fillimisht u pa me dyshim. Shumë mendonin se mund të ishte ndonjë “strategji” politike, por teksa muajt kalonin, në opinionin publik pati një konsensus për modelin e kësaj gruaje.

Vetë ish politikania tha se ka ndërmend të vazhdojë punën e saj .

“Shpesh vij e lodhur pas një dite pune, por të paktën gjej kënaqësi në punën time dhe gjumi më zë rehat në darkë, diçka e rëndësishme”-përmbyll Ann.