Me 25 pasagjerë në bord… shoferi udhëton nga Shqipëria në Gjermani, pa asnjë pushim

 Me 25 pasagjerë në bord… shoferi udhëton nga Shqipëria në Gjermani, pa asnjë pushim

Media gjermane i ka kushtuar një artikull një autobusi të ardhur nga Vlora, me destinacion në Hamburg. Deri këtu s’ka agjë të habitshme, derisa oficerët e policisë në Koburg e kanë ndaluar autobusin për një kontroll, për të zbuluar se shoferi s’kishte bërë pushim fare përgjatë rrugës.

 “Me pasagjerë nga Shqipëria drejt Gjermanisë, pa asnjë pushim: këtë ka arritur “të menaxhojë” një shofer autobusi”-shkruan media gjermane teksa shton se të dhënat janë parë nga autoritetet në kartën e shoferit (ku ruhen të dhënat për distancat e udhëtimit e pushimet/ndalimet e mjetit).

Në bordin e autobusit kishte 25 pasagjerë, përfshi dhe familjarë me fëmijë të vegjël.

Siç shpjegon media gjermane, në autobus kishte një shofer të dytë që po ashtu kishte shkelur rregullat, (përdorte kartën e një kolegu të tij, që as nuk ishte fare në bord).

Distanca nga Vlora në Koburg, atje ku autobusi u ndalua rastësisht, është afro 1800 km, ndërsa destinacioni përfundimtar i autobusit ishte Hamburgu, afro 2300 km larg Vlorës.

Në autobus u gjet po ashtu dhe një person i kërkuar nga autoritetet, pasi kishte thyer rregullat e qëndrimit në Gjermani. Media nuk jep më shumë detaje në lidhje me personin në fjalë.

Sipas rregullave normale për drejtimin e autobusëve e transportimin në rrugë të gjata, shoferi s’mund të qëndrojë për më shumë se 9 orë në ditë në timon. Një shofer autobusi apo kamioni do të duhet të pushojë të paktën 45 minuta pas dhënies së mjetit për jo më shumë se 4 orë e gjysëm.

Autobusi me pasagjerë u lejua të vijojë rrugën pas një pushimi disa orësh, siç deklaroi policia. Shoferi u gjobit dhe pritet që të merren masa të tjera administrative për të dy shoferët.