Më 27 shtator nis shkolla në Shqipëri, kush janë skenarët që do të varen nga pandemia

 Më 27 shtator nis shkolla në Shqipëri, kush janë skenarët që do të varen nga pandemia

Pas 8 ditësh, shkollat në të gjithë Shqipërinë do të hapin dyert për të mirpritur nxënësit dhe sezonin e ri arsimor. Ashtu si vitin e shkuar edhe ky fillim sezoni do të zhvillohet në kushtet e pandemisë dhe me masat anti-Covid.

Drejtues të arsimit parauniversitar janë shprehur se mënyra e zhvillimit të mësimit do të varet në vijim nga kushtet e pandemisë. Në parim janë tre skenarë të parashikuar, zhvillimi i mësimit në shkolla, zhvillimi i orëve mësimore online ose një ndërthurje e të dyjave.

Nga 27 shtatori mësimi do të nisë në shkolla, por në vijim mbetet për t’u parë ecuria e pandemisë. Një prej ekspertëve të komitetit teknik thotë se shkollat duhet t’i kthehen mësimit rregullisht, me kusht që të zbatohen masat anti-Covid.

“Mendoj që të jenë të hapura shkollat. Nëse do të lihen fëmijët e lirë, infeksioni nuk do të kontrollohet. Deri sa sistemi shëndetësor është në gjendje të përballojë, nuk kemi pse të marrim masa drastike. Por nëse nuk zbatohen masat anti-Covid, testimi e sinjalizimi, nuk kontrollohet vetë virusi dhe me nje roje në çdo person.”, shprehet Skënder Brataj për median.

Më 27 shtator, mësimi nis rregullisht me orë 45 minutëshe (për arsimin parauniversitar). Mësuesit bëjnë pjesë tek ajo kategori e personave të cilët duhet të vaksinohen deri më datë 30 shtator, ndërsa rezulton se shumica e tyre janë tashmë të vaksinuar.