Një plagë që nuk po “mbyllet”! Në 8 muaj, 7 gra u vranë nga duart e bashkëshortëve

 Një plagë që nuk po “mbyllet”! Në 8 muaj, 7 gra u vranë nga duart e bashkëshortëve

Mbrëmjen e djeshme Fëllënxë Rrasa humbi jetën në banesën e saj në fshatin Babunjë të Divjakës.

Jetën ia mori i shoqi, Hekurani, i cili e qëlloi për vdekje me armë e më pas i dha fund vetes.

Këtë fat tragjik, e kanë patur edhe 6 gra të tjera përgjatë 8 muajve të fundit në Shqipëri. Krimi në familje e ve çanërisht krimi ndaj gruas, vijon të mbetet një plagë e rëndë në trupin e Shqipërisë.

Disa ditë më parë, më 10 shtator, një tjetër krim i rënd do të ndodhte në Zhupan. 23 vjeçarja Sabrina Bengaj u qëllua për vdekje me armë nga ish i shoqi, 31 vjeçari Elton Metaj. Siç rrëfeu nëna e të ndjerës, 23 vjeçarja u qëllua sapo i ktheu shpinën ish të shoqit, ndërsa në dorë mbante ushqimin që po konsumonte atë darkë.

Më 5 korrik, një tjetër krim ndaj gruas, kësaj here në Krujë. 51 vjeçari Artan Ismalaja goditi të shoqen me thikë. Klarita ndërroi jetë prej duarve të të shoqit, i cili më tutje tentoi t’i marrë jetën dhe vetes.

Në 6 maj do të ndodhte një ngjarje e rëndë në Elbasan. Liljana Buzo po tentonte t’i jepte fund martesës me të shoqin Koço Buzo. Dhuna ishte shkaku i kërkesës për divorc. Por ky i fundit, ish polic, nuk do ta pranonte ndarjen. Priti 54 vjeçaren në ambientet e jashtme të gjykatës dhe me ta parë, e qëlloi me thikë e me armë automatike.

Më 7 qershor në Librazhd, një 53 vjeçare humbi jetën nga duart e të shoqit. Ky i fundit goditi gruan me sëpatë, derisa i mori jetën.

Më 10 prill një makinë u gjet teksa digjen në fshatin Manskuri në Kavajë. Por hetuesit zbuluan se brenda makinës kishte ndodhur një krim i rëndë. Trupi i një 45 vjeçareje u gjet brenda makinës, ndërsa pranë vendit të krimit, ishte autori i ngjarjes. Sërish autori ishte një burrë, i shoqi i 45 vjeçares. Pas krimit të rëndë, 48 vjeçari i kishte dhënë fund jetës duke lënë pas jetimë dy fëmijë.

Më 17 mars do të ndodhte një prej krimeve më të rënda në familje. Një 29 vjeçar do t’i merrte jetën të shoqes 28 vjeçe, e cila ishte shtatzënë. Një krim i rëndë që trazoi opinionin publik.