“Nuk del e gjallë nga kjo derë” Gjykata lë në burg 58 vjeçarin që vrau të shoqen në Elbasan

 “Nuk del e gjallë nga kjo derë” Gjykata lë në burg 58 vjeçarin që vrau të shoqen në Elbasan

Dy ditë kanë kaluar nga ngjarja e rëndë në Elbasan dhe 58 vjeçari që i mori jetën të shoqes, ka dalë përpara gjykatës. Gjykatësi e ka vlerësuar aktin e tij si tejet të rëndë, e madje edhe avokati mbrojtës i Koço Buzos ka mbajtur të njëjtin qëndrim mbi krimin. Gjykata ka vendosur për masën e arrestit me burg për ish policin, të cilin e pret një dënim i gjatë pas hekurave.

Por në media tashmë kanë dalë një sërë detajesh në lidhje me këtë ngjarje tejet të rëndë, që tregon edhe njëherë se çfarë plage është dhuna e krimi në familje, në ‘trupin’ e Shqipërisë.

58 vjeçari ishte i martuar prej 29 vitesh me të ndjerën, Liljanën dhe kjo e fundit e kishte denoncuar të shoqin për dhunë të vazhdueshme fizike. Pak muaj më parë gruaja do të deklaronte në denoncimin e saj mbi rrahjet që i shoqi i kishte bërë dhe kërcënimet se “nuk do të dalësh e gjallë nga kjo derë”.

Madje për disa kohë 54 vjeçarja jetonte në Tiranë tek i vëllai, pasi dhuna e të shoqit ishte bërë e papërballueshme. E më 6 maj, ishte caktuar seanca gjyqësore ku 54 vjeçarja do të divorcohej e merrte urdhër mbrojtje ndaj të shoqit. Ky i fundit nuk është paraqitur në seancë. Përkundrazi i ka bërë pritë në ambientet jashtë gjykatës.

I pajisur me një thikë dhe një armë automatike, 58 vjeçari e ka qëlluar për vdekje të shoqen, me thikë e me armë… në sy të djalit të tyre.


Koço Buzo njihej si person i dhunshëm dhe përdorues alkooli. Krimi i kryer prej tij ka qenë i mirëmenduar. Çifti ka tre fëmijë, dy prej të cilëve ishin dëshmitarë të krimit, ndërsa vajza ndodhet në Angli me familjen.