Me kamerdare zetori drejt Korfuzit, tentativat e shqiptarëve për t’i shpëtuar regjimit komunist

 Me kamerdare zetori drejt Korfuzit, tentativat e shqiptarëve për t’i shpëtuar regjimit komunist

Përgjatë 45 viteve komunizëm, të shumta kanë qenë tentativat e qindra apo mijëra shqiptarëve që kanë guxuar të largohen nga kthetrat e një regjimi të egër.

Njëlloj si rasti i një të riu nga Himara, Aleks Bala. 31 vjeçari kishte gjetur një kamerdare zetori dhe më të do të tentonte të largohej drejt Korfuzit (Greqisë). Priti datën 29 nëntor (të vitit 1988) me idenë se të gjithë do ta kishin mendjen tek festa, ndërsa ai do të tentonte arratisjen në det.

U nis nga gjiri i Llamanit për në Korfuz, por u pikas 1.3 milje larg nga forcat e kufirit. Pavarësisht thirrjeve për të ndaluar, i riu vijoi lundrimin. Qe e kotë, pasi forcat e kufirit e ndaluan.

“Nga hetimi gjyqësor doli e provuar se i pandehuri Aleks Bala, qysh në vitin 1987, ka pas siguruar një kamerdare zetori të cilën e ka mbajtur të fshehur në banesën e tij. Më vonë, për punimin e mendimit të tij kriminal ka përgatitur dhe një copë dërrase në formën e bazamentit të një barke dhe pasi ka marrë të gjitha masat e nevojshme për formimin e një varke të thjeshtë të gomuar, ka vendosur të realizojë arratisjen jashtë shtetit me anën e detit për në Greqi”.-thuhej në hetimin e prokurorisë

31 vjeçari u konsiderua si një person me rrezikshmëri të madhe shoqërore nga prokuroria, sepse ai nuk ishte i “brumosur” me idealet e partisë dhe kishte për qëllim helmatisjen e rinisë.

E pikërisht për “këto arsye”, 31 vjeçari u dënua në dhjetor të vitit 1988 me 16 vite burgim. Aleksi u lirua në vitin 1991, si shumë të tjerë të dënuar nga regjimi që tashmë kishte rënë.