Gjirokastër, të mbash gjallë bukuritë e të shkuarës përmes punimit me dru

 Gjirokastër, të mbash gjallë bukuritë e të shkuarës përmes punimit me dru

Dikur në Gjirokastër gjeje plot mjeshtra të punimit të drurit, që krijonin vepra arti me duart e tyre. Shumë shtëpi ishin të mbushura me punime, relieve apo mobilje druri të zbukuruara. Por zanatet e vjetra e kanë humbur shkëlqimin e dikurshëm.

Nuk ndodh kështu për këtë burrë, që prej 30 vitesh e ruan me fanatizëm zanatin. Viktori është drupunues dhe pavarësisht të ardhurave, shpesh të pakta, nuk ka hequr dorë nga kjo punë. Tregon në një intervistë për median se, me këtë zanat nuk ‘ngopesh asnjëherë’.

“ Është një profesion që nuk të ngop, gjithmonë ka gjëra të reja, interesante që të japin kënaqësi.  Të ruash traditën është shumë e vështirë, sepse duhet të punosh për të siguruar të ardhurat për familjen. Kjo është dilema që të tundon të hidhesh tek e ardhmja, apo të punosh edhe më shumë për t’u përballur me tregun e ri.”-thotë Viktori.

Për t’i qëndruar sa më pranë traditës, Viktori ka vizituar e studiuar shumë shtëpi të Gjirokastrës, për të parë nga afër detajet e punimeve me dru apo afresket e shumë banesave të vjetra. Ka zgjedhur të ‘imitojë’ veprat, me qëllimin për të ruajtur elegancën e dikurshme të punimeve.

“Shumë elemente i kam marrë nga shtëpitë e vjetra, por edhe nga afresket.  Gjithçka që bëj, i kam marrë nga ato që të mos humbasin vlerat e tradita”

E duket se punimet me dru janë rikthyer sërish në “modë”. Veç kërkesave nga turistët e huaj për këto lloje punimesh, shumë sipërmarrës kanë kërkuar që bizneset apo hotelet e tyre t’i arredojnë me punime që reflektojnë klasiken e bukuritë e Gjirokastës së vjetër.

“Në shumë diskutime me turistët e të huajtë… shumë prej pronarëve të hoteleve këtu vinin vetë për të kërkuar mobilje të modelit të vjetër. Kjo më bëri që të shkoj në shumë shtëpi të vjetra gjirokastrite për të parë elementët e vjetër dhe për t’i përsëritur në punë”