“Me mendjen të përthyer” Si pikturonte njeriu 14 mijë vite më përpara

 “Me mendjen të përthyer” Si pikturonte njeriu 14 mijë vite më përpara

Credit: Heritage Images/Hulton Fine Art Collection/Getty Images

Vizatimet e dekorimet që janë gjetur nëpër shpella janë në më të paktën mbresëlënëse, por një studim i ri sugjeron se shumë prej këtyre ‘artistëve’ prehistorik, mund të kenë pikturuar krejt ndryshe.

Një grup studiuesish nga Universiteti i Tel Aviv kanë ndjekur në detaje disa prej këtyre pikturave të gjetura nëpër shpellat e Evropës dhe që i përkasin kohës së Paleolitit të sipërm ( 40 mijë deri më 14 mijë vite më parë). Shumë prej këtyre pikturave të gjendura në Spanjë e Francë, gjenden në pasazhe të ngushta, të thella e të errëta, në brendësi të shpellave. E vetmja mënyrë për të vizatuar në to, ka qenë përmes dritës artificiale (zjarri në këtë rast).

“Njerëzit e kësaj periudhe e kanë përdorur pak ose aspak brendësinë e këtyre shpellave për aktivitete të përditshmërisë. Aktivitetet e përditshme bëheshin rëndom në vende të hapura ose në hyrje të shpellave”-shkruhet në studim.

Credit: Image Professionals GmbH/Alamy Stock Photo

“E teksa shumë prej pikturave janë bërë dhe në hyrje të shpellave, pikturat që gjenden në zona të thella janë interesante, e kësisoj dhe objekti i studimit”-vijon më tej artikulli i përcjellë nga CNN.

Përdorimi i zjarrit për të hedhur dritë mbi këto vende të errëta të shpellave, dukshëm ka ulur nivelet e oksigjenit dhe me gjasë i ka çuar ata që pikturonin në këto zona në një gjendje që në termat shkencorë njihet si Hipoksia. Në disa raste kjo gjendje mund të sjellë çlirimin e dopaminës, e cila më pas sjell halucinacione dhe eksperienca “jashtë-trupore”. Kështu sugjeron Ran Barkai, bashkëautor i studimit dhe profesor i arkeologjisë prehistorike.

Sipas studiueseve, pikturimi në të tilla kushte, ka qenë një zgjedhje e ndërgjegjshme me qëllimin për të bashkëvepruar me kozmosin.

Prej vitesh këto lloj pikturash kanë sjellë debat mes disiplinave të ndryshme, për pyetjen e thjeshtë se për çfarë kanë shërbyer konkretisht ato.

Studiuesit e këtij studimi, sugjerojnë se pikturat, e veçanërisht ato të kryera në pjesë të thella të shpellave, nuk kanë qenë thjesht për ‘dekor’.

“Nuk ishte ideja e dekorit arsyeja se përse këto shpella ishin të rëndësishme, por e kundërta. Rëndësia e shpellave të përzgjedhura nga këta njerëz, ishte arsyeja se përse ato pikturoheshin”-thuhet në studim.

Studiuesi Ran Barkai sugjeroi po ashtu se pikturat nëpër shpella, mund të kenë qenë dhe një lloj riti iniciimi, duke patur parasysh se janë gjetur prova se pikturat janë bërë dhe parë nën prezencën e fëmijëve.

Cnn shton në fund të artikullit, se studimi u publikua javën që lamë pas në gazetën “Time and Mind: Journal of Archaeology, Consciousness and Culture.