Shqiptarët i plotësojnë ëndrrën, fjalët e Arlinës para operimit: Dita që kam pritur, frikë nuk kam

 Shqiptarët i plotësojnë ëndrrën, fjalët e Arlinës para operimit: Dita që kam pritur, frikë nuk kam

Një javë ka kaluar nga rrëfimi i saj për emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” dhe Arlina tashmë është një hap larg ëndrrës, për ta parë trupin e saj të drejtë, larg skoliozës që e torturoi për vite të tëra.

Shqiptarët zemërmirë së bashku me emisionin. Të gjithë bashkë arritëm të grumbullojmë paratë e nevojshme për kurimin e saj. Tashmë Arlina ndodhet në Tiranë dhe disa orë para ndërhyrjes zhvillon një bisedë Eneidën.

Arlina duket e qetë. I thotë Eneidës se frikë nga operimi nuk ka, pasi kjo është dita që ajo ka pritur prej mëse 7 vitesh.

Arlina: Sëmundja është bërë pjesë e jetës sime. Ëndrra ime e vetme, që të shërohem. Kam dëshirë të mësoj për gazetari ose për avokate. Sëmundja në plot kuptimin e fjalës ma preu mundësinë për shkollën.

-Nuk mendon që t’i ndash gjërat për problemin që ke? Pse ke vendosur që ta mbash për vete sëmundjen?

Arlina: Këtë rrugë e kam zgjedh për të mos mërzitur prindërit, tjetrin. Pse me i mërzit prindërit? Më mirë mërzitem veç vetë, sesa kërrkënd tjetër. Prindërit kanë qenë me mua çdokund dhe normal një familje, një prind e ka për detyrë me rrit fëmijën… por ndonjëherë janë ato sakrifica që e tejkalojnë limitin. Mbase për ata nuk është kaq shumë, por për fëmijën, për mua është dukur shumë.

Në Zvicër kur bëra operimin ishte vetëm babi. 12 orë ndenja në operim dhe babi priste tek dera vetëm. Në operim u futa me shpresë… shumë u mërzita kur mësova se operimi nuk shkoi mirë. Me kalimin e kohës dhe kur ka parë emisionit tuaj, e kam parë që u ngjall një shpresë, u ndez një dritë.

-Po kur t’u kthye një përgjigje?

Arlina: Diçka e papërshkrueshme. Nuk e kam prit të them të drejtën… sikur të isha në fund të humnerës e dikush të vinte të ma zgjaste dorën… ju ma keni zgjatur dorën. I kam dhënë besim vetes, Arlina ia nise kësaj pune dhe ta çosh deri në fund. Nga ajo ditë i kam thënë vetes s’ka lot e mërzi, por nganjëherë lotët dalin.

-Ke frikë Arlina?

Arlina:  Jo s’kam pse të kem, kjo është dita që kam prit. Unë e falenderoj shumë emisionin, të gjithë shqiptarët. Të gjithë ata që kanë kontribuar, atyre që kanë bërë lutje për mua dhe të gjithë atyre që nuk kanë mundur të kontribojnë, por u ka kushtu zemra, siç themi ne në Kosovë.