“Merrni vajzën, të jetojë sa të jetojë” Rrëfimet e dhimbshme të prindërve… çfarë ndodhi më pas

 “Merrni vajzën, të jetojë sa të jetojë” Rrëfimet e dhimbshme të prindërve… çfarë ndodhi më pas

“Qëkur lindi, i kishte shenjat. Organizmi i saj nuk përthithte mirë, filloi të mbledhë ujë. Derisa shkoi në gjendje të fundit, shkoi në reanimacion, nuk i dhanë jetë fare…”

Këto janë fjalët e një nëne, fjalë që të thyejnë zemrën. Ndërsa këto sy blu janë të Amarës, sot 2 vjeçe. Qëkur Amara erdhi në këtë botë, ka parë e përjetuar veçse dhimbje.

Bledi, babai i 2 vjeçares mundohet të shfaqet i lumtur përpara të bijës… por vetë dridhet, kur për “Shqiptarët për Shqiptarët” rrëfen momentin kur doktorët i treguan për sëmundjen.

“Doktorët na treguan… që vajza ka fribosë kistike”

Sëmundja e rëndë që ka Amara i rrezikon jetën. Jona, nëna e 2 vjeçares, rrëfen me shpirtin pezull se e gjithë bota e saj ra përdhe kur mësoi lajmin. Vuajtjet vetëm u shtuan, ndërsa shpresat shuheshin dita- ditës.

“Mu përmbys bota… është fëmija im i parë. Çdo sekondë na thonin, mereni, çojeni në shtëpi (përlotet)… të jetojë sa të jetojë më thonin.

Sot është shumë shumë e lodhshme. Ka shumë siklete, shumë vuajtje. Çdo ditë, kur hap sytë… çdo ditë ngrihem me frikën, a është sot apo jo, a do të jetojë vajza sot apo jo?

Nuk e imagjinoj dot jetën pa të, është fundi i botës… në Shqipëri vajzën nuk ka shpresë ta shpëtojmë. Kemi kontaktuar me një spital në Itali, por mjekimi kushton 20 mijë euro. Vetë nuk i kemi mundësitë.”-tha Jona.

“Për një familje normale është e papërballueshme… çfarë të bëjmë, këto janë kushtet, më keq nuk ka ku të shkojë.”-tregoi Bledi.

Por pamundësia e këtyre prindërve nuk i ndaloi bamirësit e Fondacionin Firdeus që t’ja lehtësonin dhimbjen Jonës e Bledit, për t’i dhënë mundësinë Amarës që të shkojë në një spital të specializuar për t’u shëruar.

Fatma Naçi e Meri Bejleri shkuan të takojnë Jonën, për t’i dhënë asaj një lajm që me siguri ajo e ka ëndërruar çdo ditë të sëmundjes së të bijës.

Fatma: Jona sa kohë keni në spital?

Jona: Të premten bëjmë dy javë këtu. Nuk dihet sesa mund të qëndrojmë… këtu thjesht bëjnë mjekime. Është sëmundje që kërkon kurim të mirë e këtu… bëjnë sa kanë mundësi. Mushkëria i del sërish e sëmurë e nuk kanë mundësi ta kurojnë

Fatma: Ne sot kemi ardhur tët japim lajmin se ti do të shkosh tek spitali më i mirë në Europë për fëmijët e ta shërosh princeshën tënde të vogël… (përlotet)

Jona: Ju falenderoj shumë… o Zot

Fatma: Tani nuk do të kesh kalvar të gjatë vuajtjesh…

Meri: Mundësia është të shkosh me vajzën në spital të mirë. Tani në dorë të Zotit e më pas në dorë të mjekëve. Do të shkoni tek spitali më i mirë për fëmijë, tek Bambino Gesu.

Fatma: Neve do të na kesh afër për çdo gjë…

Jona: Ju falenderoj, nuk kam fjalë