Mesdheu përfshihet nga temperatura deri në 47 gradë, në Francë paralajmërojnë për ‘apokalips’

 Mesdheu përfshihet nga temperatura deri në 47 gradë, në Francë paralajmërojnë për ‘apokalips’

Një valë e të nxehtit ka mbërthyer Mesdheun dhe Europën, duke sjellë temperatura ekstreme e zjarre që kanë vënë në vështirësi shtetet e fuqishme europiane.

BBC shkruan se në Spanjë më shumë se 3200 vetë kanë braktisur shtëpitë e tyre në Mijas.

Portugalia po ashtu ka vuajtur nga zjarret masive, ndërsa të paktën 1 mijë vdekje në këto dy vende, i janë atribuar temperaturave tepër të larta.

Përgjatë gjithë Mesdheut, nga Maroku në Kretë, mijëra zjarrfikës po luftojnë me flakët. Që nga e marta e javës së kaluar i gjithë Mesdheut është pushtuar nga temperaturat e larta.

Për shembull në Portugali e Spanjë u regjistrua një temperaturë prej 47 gradësh celcius, ndërsa Franca e Britania regjistruan temperature deri në 41 gradë.

Në Francë, paralajmërojnë për ‘apokalips’

Perëndimi i Francës po përballet me një ‘apokalips të të nxehtit’, kanë paralajmëruar ekspertët. Kështu shkruan BBC në një artikull të botuar këtë të hënë, ndërsa temperaturat atje kanë mbërritur në mëse 40 gradë celcius.

Të paktën 15 zona në jugperëndim të Francës po përballet me zjarre të fuqishme që kanë djegur afro 14 mijë hektarë.

Përgjatë ditëve të fundit, të paktën 24 mijë persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, pikërisht për shkak të rrezikut të zjarreve. Jean-Luc Gleyze, drejtues i regjionit të Gironde, i tregoi BBC-së se zjarret kanë shkaktuar dëme të shumta.

“Zjarrfikësit po luftojnë kundër një zjarri që shtohet dhe shtohet, ndonjëherë duke u ngritur në lartësi”-tregoi zyrtari tesa shtoi se të tjera fshatra do të duhet të evakuohen.