Sërish aksident prej gomoneve në det, 7 vjeçari në Vlorë goditet teksa po notonte në breg

 Sërish aksident prej gomoneve në det, 7 vjeçari në Vlorë goditet teksa po notonte në breg

Foto ilustruese

Një fëmijë i mitur ka mbetur i lënduar këtë të hënë, pasi është goditur nga një gomone. 7 vjeçari po lahej pranë bregut, kur një 40 vjeçar që po drejtonte një gomone e ka goditur fëmijën. Ngjarja ndodhi në një prej plazheve të Vlorës.

Siç njoftuan autoritetet, i mituri është jashtë rrezikut për jetën.

“Sot, rreth orës 17:40, në plazhin e Jonufrës, shtetasi H. K., rreth 40 vjeç, duke drejtuar një mjet lundrues tip gomone, ka dëmtuar një 7-vjeçar, i cili ka qenë duke notuar në afërsi të bregut. Aktualisht fëmija ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Drejtuesi i mjetit lundrues është shoqëruar nga Policia për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”-njoftoi policia.

Kujtojmë se ky është rasti i dytë brenda pak ditëve, ku drejtimi i papërgjegjshëm i mjeteve lundruese, ka sjellë lëndimin e pushuesve të pafajshëm.