Nis konferenca e parë ndërqeveritare, Shqipëria hap zyrtarisht negociatat me BE-në

 Nis konferenca e parë ndërqeveritare, Shqipëria hap zyrtarisht negociatat me BE-në

Ka nisur këtë të martë Konferenca e parë Ndërqeveritare Shqipëri- BE, një hap që shënon zyrtarisht hapjen e negociatave me unionin europian.

Kanë kaluar mëse 30 vite nga koha kur shqiptarët thërrisnin “Shqipëria, si e gjithë Europa”, 16 vite nga firmosja e marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, e mëse 8 vite nga marrja e statusit të vendit kanditat.

Sot më 19 korrik 2022, Shqipëria do të hapë zyrtarisht negociatat me BE-në, duke i hapur rrugën tashmë një procesi tjetër më dinamik për hyrjen në familjen europiane.

Aktualisht në Bruksel po mbahet konferenca e parë ndërqeveritare, ndërsa delegacioni i Shqipërisë përbëhet nga 25 figura të qeverisë, kryesuar nga Kryeministri i Shqipërisë.

Por teksa Shqipëria çel negociatat, bashkë me to vijnë një sërë detyrash e detyrimesh, për të cilat askush nuk mund të thotë me saktësi se kur do të përfundojnë. Mbetet ende herët të thuhet, se sa vite do t’i duhen Shqipërisë, për t’u bërë një anëtar me të drejta të plota në familjen europiane.

Çfarë nënkupton hapja e negociatave

Hapja e negocitave me BE-në në thelb nënkupton një proces teknik që nis me kontrollin e plotë të administratës dhe legjislacionit të një vendi kandidat. Shqipëria do të duhet të përafrohet me legjislacionin e BE-së. Komisioni Europian do të dërgojë ekipe që do t’i bashkëangjiten administratës shtetërore, nga ku do të kontrollojnë ligjet e zbatimin e tyre.

Në total janë 35 kapituj, të cilët hapen ose mbyllen në varësi të suksesit të shtetit kanditat në përafrimin e performancën e tyre. Kapitujt janë të grupuar në 6 sektorë, ndërsa kapitulli i parë ka të bëjë me të drejtat themelore të njeriut, më tutje reforma në drejtësi, lufta ndaj korrupsionit, etj.