Ministri i Shëndetësisë: Dy vdekjet e dyshimta në Deçan, nuk kanë lidhje me helmimin

 Ministri i Shëndetësisë: Dy vdekjet e dyshimta në Deçan, nuk kanë lidhje me helmimin

Ministri i Shëndetësisë në Kosovë ka deklaruar se dy vdekjet e ndodhura në 24 orët e fundit në komunën e Deçanit, nuk kanë lidhje me situatën e krijuar atje prej të shtunës, ku qindra persona janë paraqitur me simptoma të helmimit.

“Raportet e para që i kemi marrë të dielën kanë qenë shqetësuese. Pa asnjë rast fatal deri më tani, dy rastet e vdekjes që i referoheni s’kanë të bëjnë me rastet që po flasim”, ka thënë Ministri Arben Vitia.

“Fat i madh që të gjithë pacientët që janë trajtuar në QKMF në Deçan pas marrjes së trajtimit janë kthyer mirë dhe pa probleme në shtëpitë e tyre me një numër shumë të vogël të referimit në Pejë dhe fatmirësisht pa asnjë rast fatal.

Dje ka pasë një qetësim të situatës dhe bashkë me IKSHPK-në dhe organet komunale është qetësuar disi situata për t’u përkeqësuar në orët e mbrëmjes dhe më pas janë aktivizuar të gjitha mekanizmat, jo vetëm të Ministrisë, por edhe nga Qeveria që bashkërisht me kryetarin e Deçanit dhe qytetarë të bëjmë maksimumin që t’u dalim në ndihmë të gjithë qytetarëve”.-shtoi Ministri.

Kujtojmë se për median në Kosovë, zëdhënësi i prokurorisë së Pejës tha se gjatë 24 orëve të fundit, dy persona kanë ndërruar jetë në komunën e Deçanit. E për shkak të situatës së krijuar atje, është kërkuar ekspertiza për të zbuluar nëse vdekjet kanë lidhje me helmimin.

“Gjatë 24 orëve të fundit, kanë ndodhur dy vdekje të dyshimta në komunën e Deçanit. Për shkak të situatës se krijuar në atë rajon, Prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda, ka urdhëruar që trupat e pajetë të dërgohen për obdukim në IML për të kuptuar me shumë lidhur me rrethanat e vdekjes se tyre”, ka thënë zëdhënësi për median.