Çfarë po ndodh në Deçan? 900 persona të helmuar e 2 humbje jete, shpallet gjendja emergjencës

 Çfarë po ndodh në Deçan? 900 persona të helmuar e 2 humbje jete, shpallet gjendja emergjencës

Prej ditës së shtunë e deri më sot, në komunën e Deçanit kanë qenë qindra njerëzit që janë paraqitur në qendrën spitalore me shenja të qarta të helmimit.

Deri më tani janë afro 900 persona që kanë patur probleme me shëndetin, ndërsa në 24 orët e fundit sipas prokurorisë së Pejës, 2 qytetarë deçanas kanë ndërruar jetë në rrethana të dyshimta.

Ngjarja është përshkallëzuar aqsa autoritetet kanë vendosur të shpallin gjendje emergjente në të gjithë territorin e Deçanit. Kjo pasi ende nuk është zbuluar shkaku i helmimit masiv të qytetarëve.

Dyshimet e para kanë qenë për ujin,, por ende nuk kanë dalë analizat e plota për të zbuluar me siguri se për çfarë bëhet fjalë.

Dy rastet e humbjes së jetëve janë konfirmuar nga zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Niçki. Trupat do të dërgohen për espertizë mjeko-ligjore për të kuptuar më shumë lidhur me rrethanat e vdekjes së tyre.

“Gjatë 24 orëve të fundit, kanë ndodhur dy vdekje të dyshimta në komunën e Deçanit. Për shkak të situatës se krijuar në atë rajon, Prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda, ka urdhëruar që trupat e pajetë të dërgohen për obdukim në IML për të kuptuar me shumë lidhur me rrethanat e vdekjes se tyre”, ka thënë Nikçi për median në Kosovë.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK), bëri të ditur të hënën se nga 6 mostrat e marra nga uji, në dy prej tyre janë gjetur koloni të dyshimta të baktereve. Megjithatë, sipas drejtorit Naser Ramadani (IKSHPK), testimet duhet të vazhdohen, pasi shkaku i saktë i helmimit masiv nuk është përcaktuar ende.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha në një konferencë për median (dje), se janë duke u kryer të gjitha përpjekjet për gjetjen e shkaqeve të helmimit. Ai shtoi se ka dyshime edhe për një skemë të qëllimshme, por nuk e argumentoi këtë deklaratë duke thënë se deri më tani dyshimet janë vetëm hipoteza.

Deri më tani 884 pacientë i kanë pasur simptomat e njëjtë. Dy herë brenda një muaji e kemi pasur situatën e njëjtë kështu që po na shtynë që të mendojnë që kjo është diçka e qëllimshme. Por, le të mbetet në dorën e Prokurorisë së Shtetit që t’i zhvillojë hetimet. Nëse vërtetohet se ka pasur helmim atëherë ne ndaj Ujësjellësit Regjional ‘Hidrodrini’ do të marrim masat ligjore në fuqi të shtetit të Kosovës”, tha ai.

Më poshtë në artikull, gjeni disa prej prononcimeve të bëra ditën e djeshme nga qytetarë që kanë përjetuar simptoma të helmimit.