Misteri i autorit që solli tragjedinë me tre viktima në Deçan, avokati zbulon pistën ku po hetohet

 Misteri i autorit që solli tragjedinë me tre viktima në Deçan, avokati zbulon pistën ku po hetohet

Teksa po bëhen thuajse dy javë nga tragjedia në Gllogjan të Deçanit, autoritetet ende nuk kanë arrestuar ndonjë të dyshuar apo të kenë bërë publike pistat e hetimit për gjetjen e personit, që i mori jetën 2 nxënësve dhe shoferit të autobusit.

Por avokati Besnik Berisha ka bërë publike një pistë, që sipas tij po hetohet nga autoritetet për të gjetur autorin që kreu vrasjen e trefishtë. Sipas Berishës, pretendohet se dikush (avokati nuk ka përmendur emra) ka fajësuar shoferin në lidhje me vetëflijimin e një vajze. Avokati tregoi se një prej pistave është pikërisht një hakmarrje e mundshme.

“Pretendohet se ka pas një vetëvrasje të një të reje që fajësohej shoferi, dmth nga dikush është fajësuar. Unë nuk po them që organet e kanë fajësuar, por nga dikush fajësohej, po emrin nuk mund ta them.

Fajësohej për atë akt, për atë humbje jete dhe thuhet se, së paku pista që hetohet, se dyshohet se ka pas një periudhe “grace period”, që pas një viti nga momenti tragjik t’i mbushë një vjet, unë do të merrem vesh me atë person ndryshe. Dhe kjo është një nga pistat e cila po hetohet, pra hakmarrje si rezultat i humbjes së një jete të një të reje.

Por, që ta analizoj këtu, edhe në këtë pistë që po punohet paralelisht me një version tjetër, nuk ka diçka konkrete, ka akoma thashetheme”, ka thënë Berisha në Klan Kosova.