“Mu duk si tërmet!” Lezhë, shpërthimi i bombulës së gazit lëndon një grua, i shoqi rrëfen ngjarjen

 “Mu duk si tërmet!” Lezhë, shpërthimi i bombulës së gazit lëndon një grua, i shoqi rrëfen ngjarjen

Një bombul gazi ka shpërthyer në banesën e një çifti të moshuarish në fshatin Troshan të Lezhës, atje ku për pasojë ka mbetur e lënduar një grua në moshën 67 vjeçare.

Kjo e fundit ka marrë disa djegie në fytyrë dhe është dërguar për shërbim mjekësor në Tiranë. Shpërthimi i bombulës ka sjellë disa dëme të konsiderueshme materiale.

Ngjarjen e rrëfeu për median pronari i banesës, i cili tregoi se bombulën e gazit e kishte blerë ditën e djeshme, e madje edhe provuar nëse rridhte apo jo. Shpërthimi ndodhi në orët e mëngjesit dhe sipas tij, fillimisht i ngjau me një tërmet.

“Sapo jemi kthyer nga Amerika. Shkova dje në Lezhë të blej ilaçet për time shoqe, të paguaj taksa e drita. Në darkë lidha këtë bombulën. E provova me shkrepse përjashta. Gruaja bëri një pilaf në darkë. Hëngrëm e fjetëm. Në mëngjes ime shoqe u çua të pijë ilaçet. Ka ndezur gazin. Isha në verandën e shtëpisë tjetër, kur dëgjova shpërthimin. Thashë se ishte tërmet, e tundi (shpërthimi)… Gruaja më thirr “O Mark, o Mark”. Pashë se gjithçka ishte shkatërruar. Ime shoqe ka pësuar disa djegie në fytyrë. Bombulën e bleva rreth orës 7 të darkës, por mbase pianura mund të ketë rrjedhur.”-rrëfeu bashkëshorti i të lënduarës.

Një tjetër banor i zonës tregoi për median se e dëgjoi shpërthimin afro 1 kilometër larg, duke e konsideruar si shpërthimi në ‘Gërdec’.

Ndërkohë autoritetet dhanë kë njoftim mbi ngjarjen.

“Rreth orës 11:25, në fshatin Troshan, Lezhë, tek banesa e shtetasit M.L. ka shpërthyer një bombël gazi ku për pasojë janë shkaktuar dëme materiale në banesë si dhe është lënduar shtetasja Gj.L. 67 vjeçe, e cila është dërguar për mjekim më të specializuar në QSU Tiranë.

Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po kryen veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”-njoftoi policia.