Nëna do të mbytet në lumë, i shoqi tenton të varë veten… kosovari u shpëton jetën

 Nëna do të mbytet në lumë, i shoqi tenton të varë veten… kosovari u shpëton jetën

Sprova të mëdha ka kaluar kjo familje shqiptare nga fshati Kallm i Fierit. Skamja i ka çuar deri atje sa të mendojnë për t’i dhënë fund jetës dhe jo vetëm një herë.

Prej 17 vitesh jetojnë në një kasolle, flenë në një krevat vet i katërt së bashku me dy fëmijët dhe për mbulesë kanë disa copa plastmasi. Jetesa e familjes Buzi duket sikur është shkëputur nga një ferr i ftohtë dhe plotësisht i pashpresë.

Entela Buzi tregon se prej thuajse 20 vitesh vuan çdo ditë, orë, minutë e sekondë. Edhe era dhe stuhia e shiut e tmerron aqsa familjarisht dalin jashtë kasolles nga frika se mos ajo pak çati që ka mbetur u bie në kokë. Me lotë në sy, Entela thotë se disa herë ka tentuar të vrasë veten.

Nëna: Gjithmonë pa ngrënë. E njëjta situatë. Nuk kemi asgjë, në këtë fshat ku jemi as punë nuk ka. Jemi katastrofë e vërtetë. Jetojmë në këtë kasolle dhe mbështillemi me plastmas. Një ditë u mërzita aq shumë saqë shkova të mbytesha në lumë.

Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” u interesua për rastin e familjes Buzi, por kësaj here nuk ishin të vetëm ata që u prekën nga dhimbja e madhe e këtyre shqiptarëve. Elvis Naçi shkoi të takojë Entelën, fëmijët dhe kryefamiljarin e shtëpisë. 

Nëna shqiptare vazhdon të tregojë të tjera detaje të dhimbshme. Në këtë familje burrë e grua nuk e duan më jetën… edhe bashkëshorti i Entelës ka tentuar të varë veten me litar dhe nëse ndërhyrja nuk do të bëhej në atë moment, dy fëmijë do mbeteshin sot jetimë.

Djali: Këtu është jashtë mase e vështirë të jetohet. Aty ku rrimë është për faqe të zezë. Këtu as punë nuk gjen. Babi i sëmurë është, vuan nga zemra. Në behar e ka kapur dy tri herë. Tani duhet të shkoj në Fier pë rtë marrë ilaçet e babait se i duhen patjetër.

Vajza: Sa herë bie shi i njëjti avaz…

Elvis Naçi: Kjo është shtëpia juaj?

Entela: Po kjo është kasollja… kur fryn ndonjë erë mbulohemi me plastmas dhe dalim jashtë se kemi frikë mos na zë brenda. Kjo është e njëjta situatë prej 17 vitesh…jemi shumë shumë në gjendje të keqe. Të jetosh në ferr!

Naçi: Je vrarë në shpirt…

Entela: Aq shumë saqë shkova të mbytesha, por më ndalën fëmijët. Të mos ishte për ato asnjë ditë nuk do të jetoja. Një dhomë do doja veçse për fëmijët. Në muajt e janarit ishte një i ftohtë dhe shi i madh. Kam ndenjur gjithë ditën me fshesë në dorë që të nxirrja ujin nga kjo kasolle. Flemë të katërt ne këtë dyshek dhe mbulohemi me një plastmas.

Naçi: Jo tlutem mos e thuaj më atë. Ne do të bëjmë të pamundurën për ju. Këtu Sidrit qenka… po më ngushtohet shpirti.

Nëna: Djali është i sëmurë me astmë. Unë jam e sëmurë nga sytë dhe nga tëmthi. Mjeku më tha të operohesha, po ku kam para unë që të operohem. Fëmijët e mi nuk i ushqej dot. Im shoq ka dashur të mbytej me litar, të mbyste veten. Erdhën dhe na ndihmuan. Mora një thikë dhe arritëm t’i prejmë litarin… sikur të ishin vonuar disa më shumë ai do kishte ikur.

Ja tek kjo copa e drurit këtu desh të varej me litar. E morëm dhe i tërhoqëm gjuhën…

Elvis Naçi: Nëse shqiptarët dhe ne bashkë me ta do na krijohet mundësia, ty të vjen më mbarë të qëndrosh tek kjo tokë këtu apo në qytet?

Nëna: Unë dua në këtë tokë. Jetoj më mirë këtu se në qytet.

Sidrit Bejleri: Besoj se me shqiptarët do të të realizohet ëndrra shumëvjeçare.

Por “shqiptarët për shqiptarët” nuk ishin të vetëm për të ndihmuar familjen Buzi, pasi një mërgimtar me origjinë nga Kosova kishte udhëtuar nga Gjermania për të parë me sytë e tij se çfarë ndodhte në këtë familje. Avdi Tafilaj i takon të katërt pjesëtarët e familjes Buzi në kasolle dhe i premton që nuk do të jetojnë më në atë vend.

Tafilaj: Sot largoheni nga këtu sepse me të vërtetë situata juaj paska qenë shumë e keq. Nga sot, hidhi të gjitha këto dhe le të shkojmë tek shtëpia e re.

Dhe ashtu ndodh, pas vuajtjeve të mëdha familja Buzi tashmë ka një shtëpi të re falë ndihmës së mërgimtarit nga Kosova. Në banesë, Elvis Naçi zbulon se kur Avdiu ka parë në rrjetet sociale rastin e familjes Buzi i kanë dalë lotë. Ai e ka provuar vetë varfërinë dhe ka vendosur që ta ndihmojë këtë familje.

Mërgimtari: Motër ta gëzosh shtëpinë dhe shpresoj të jetosh sa më lumtur.

Naçi: Kjo është një shtëpi normale, siç jetojnë të gjithë shqiptarët. Kjo është një banesë me dy shtëpia, që të jetojnë burrë e grua dhe fëmijët veçmas. Një familje nga Kosova jonë e dashur ka ardhur këtu dhe i ka lënë punët e tyre për shqiptarët.

Entela: Ju falënderoj thellësisht nga zemra.

Naçi: Kur Avdiu ka parë rastin tuaj në rrjetet sociale, atij i kanë dalë lotë. Ai ka thënë me veten që tek kjo familje ai të bëjë më shumë. Ka dashur që ju të gëzoni si gjithë shqiptarët e tjerë. Përveçse kësaj pa patur dhe një qëllim tjetër, që këtë mirësi do t’ja transmetojë dhe djalit të tij. Djali i tij sot po e merr vesh se çfarë ka bërë babai i tij.

Mërgimtari: Zoti nuk është i vonë kurrë… Shpresa vdes e fundit. Ne jemi prind dhe kemi dëshirë që fëmijët tanë t’i marrin të mirat tona. Po ta lë amanet o djali im, që këtë rrugë ta vazhdosh gjithmonë. Unë i ftoj vëllezërit tanë shqiptarë që të kontribuojnë për shqiptarët në nevojë.

Kryefamiljari: Ju falënderoj shumë. Ju shpërblefshin këto që keni bërë. Ju falënderoj, nuk di çfarë të them më shumë.