Nesër këto kategori, duhet të paraqesin certifikatë vaksinimi në punë

 Nesër këto kategori, duhet të paraqesin certifikatë vaksinimi në punë

Nesër më 4 janar, të gjithë punonjësit e administratës publike, supermarketeve e qendrave tregtare, do të duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit.

Njëlloj siç kanë bërë thuajse të gjitha shtetet e BE-së e më gjerë, masa e re u vendos disa kohë më parë nga ana e Komitetit Teknik të Ekspertëve.

Kushdo nga punonjësit e kategorive të mësipërme që nuk paraqet një certifikim të vaksinimit, do të duhet të sjellë një tampon negativ, çdo 5 ditë.

Ndërkohë më poshtë, gjeni masat kufizuese që janë ende në fuqi në territorin e Republikës së Shqipërisë:

Ora policore vijon me orën 23:00 – 06:00, përveç natës së ndërrimit të viteve.

Punonjësit e administratës publike, të supermarketeve dhe qendrave tregtare do të paraqesin dokumentin e vaksinimit ose çertifikatat e shërimit me vlefshmëri deri në 6 muaj pas ditës së shërbimit, duke filluara nga data 4 janar 2022,

Qytetarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë, nga të gjitha pikat kufitare apo ata që kalojnë tranzit, duhet të vijojnë të dorëzojnë një nga dokumentet e mëposhtme:

–           Pasaportë vaksinimi, ku data e vaksinës së fundit të ketë të paktën dy javë e aplikuar nga data e hyrjes në kufi.

–           Test PCR, të kryer brenda 72 orëve ose testin e shpejtë antigenic brenda 48 orëve të hyrjes në kufi.

–           Provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov-2 të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.

–           Qytetarët rezidentë të Republikës së Shqipërisë dhe që nuk kanë asnjë nga dokumentet e përmendura në pikën 1, duhet të vetë izolohen për një periudhë 10 ditore dhe të informojnë autoritetet shëndetësore për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit. 

Vijon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambiente të mbyllura, në qendra tregtare, supermarkete, dyqane etj, e në të gjithë ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.

Vijon të mbetet në fuqi urdhri për lejimin e grumbullimeve deri në 50 persona dhe të aktiviteteve kulturore, sportive etj deri në 30% të kapaciteteve të tyre me prezencë të spektatorëve.