Një bisht cigare, plehrat apo zjarri i qëllimshëm, çfarë ndodh me ‘piromanët’ e Shqipërisë

 Një bisht cigare, plehrat apo zjarri i qëllimshëm, çfarë ndodh me ‘piromanët’ e Shqipërisë

Si shumë vende përreth apo pranë nesh, edhe Shqipëria po vijon me luftën me flakët. Njëlloj, vendi ynë ka ‘prezencën’ e tij të ‘piromanëve’, që bëhen shkas me dashje apo pa të, në ndezjen e zjarreve.

Rastet janë të ndryshme. Dikush pa dashje, duke hedhur një bisht cigareje në vendin e gabuar bëhet shkas. Kështu lajmëroi këtë të premte policia. Një 28 vjeçar u procedua, pasi në malin ‘Partizan’ (Berat) hodhi një cigare e cila shkaktoi flakë në një sipërfaqe me bimësi të ndryshme.

Ka edhe të tjera “lloje” të zjarreve, që vijnë nga pamundësia për të kontrolluar flakët. E në fakt, në mesin e temperaturave të larta, doemos të kontrollosh flakët nuk është “punë” e lehtë. Në Memaliaj, policia njoftoi se ka ndaluar një 51 vjeçar po këtë të premte. Ky i fundit po digjte disa barëra në pronën e tij, por zjarri ka dalë jashtë kontrollit duke djegur disa sipërfaqe me bimësi të ndryshme.

Pak ditë më parë në një fshat në Elbasan, një banor i zonës po digjte plehrat. Zjarri u ‘ngrit në këmbë’ shpejt, doli jashtë kontrollit dhe mori para afro 450 rrënjë ulliri në pronësi të dy banorëve të tjerë.

Ka edhe aksidente. Në Radat të Dropullit, një qytetar po punonte me troho në bahçen e tij, kur ka shkaktuar zjarr, ndërsa flakët janë përhapur në rrethinat e fshatit.

Po ata, që ndezjen e flakëve e bëjnë me qëllim?

Po sot, autoritetet njoftuan se në pranga kanë rënë dy djem të rinj në moshë. Ata dyshohet të kenë djegur qëllimisht sipërfaqe të mëdha pyjore në fshatin Gjonomadh (Korçë).

“Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë ndalimin e shtetasve A. Xh., 18 vjeç dhe T. B., 22 vjeç, banues në fshatin Gjonomadh, Korçë, pasi dyshohet se tek vendi i quajtur “Korija e fshatit” në Gjonomadh, këta shtetas, kanë djegur me zjarr një sipërfaqe pyjore me bimësi të ndryshme.”

“Piromanë” që kanë vënë flakë qëllimisht ka patur dhe ditët e mëparshme. Si një rast i para pak ditëve në Fier, ku dy burra në moshat 41 e 49 vjeç, i kishin vënë flakën pyllit në fshatin Gjorgjoz të Fierit.

Çfarë parashikon ligji shqiptar për rastet e zjarrvënieve?

Foto ilustruese nga zjarret ne Shqiperi

Sipas kodit penal, shkatërrimi apo dëmtimi (me zjarr) me dashje i fondit pyjor, fidanishtes, grumbullit pyjor ose i çdo njësie të ngjashme, dënohet me burgim nga 5 deri në 8 vite burgim. Në rastin kur zjarri ka shkaktuar pasoja të rënda për pronën, shëndetin e jetën e njerëzve, dënimi me burgim mund të shkojë deri në 20 vite. (Më poshtë foto nga kodi penal)

Po në rastet kur zjarri shkaktohet nga pakujdesia?

A dënohen ‘piromanët’ me burg?

22 persona janë arrestuar në javët e fundit për zjarrvënie. Por a dënohen këta ‘piromanë’?  Përvoja gjatë viteve ka vënë në dukje se nuk është e kollajtë të dënohen zjarrvënësit, kjo pasi organi i akuzës gjen vështirësi për të gjetur prova të mjaftueshme për të faktuar krimin e kryer.

Të paktën kështu ka ndodhur vitin e kaluar, ku në prokurori janë regjistruar 24 procedime, por në gjykatë nuk ka përfunduar asnjë person.