Rrëfimi i një zjarrfikësi në përballjen me flakët në Shqipëri: Djali kur sheh tym më thotë, babi mos shko

 Rrëfimi i një zjarrfikësi në përballjen me flakët në Shqipëri: Djali kur sheh tym më thotë, babi mos shko

Prej ditësh në Shqipëri zjarrfikësit përballen me flakët. Sikur të mos mjaftonte vështirësia që sjell me vete ky profesion, shumica e vatrave të zjarrit ndodhen në terrena malore e kodrinore, duke e bërë orvatjen dyfish të vështirë.

Por si është një ditë pune e zjarrfikësve, në këto ditë të mbushura me flakë e vështirësi të shumta. Drejtuesi i zjarrfikësve të Mirditës Agim Lleshaj, ka treguar për median se që prej datës 4 gusht, ka nisur puna për shuarjen e flakëve në veri të vendit.

“Që nga data 4, në orën 05:00 të mëngjesit kemi marrë informacion për vatrën në fshatin Thirrë dhe nga ajo datë deri më sot kemi qenë në terren për të bërë izolimin, por për shkak të terrenit dhe kushteve atmosferike ka qenë e pamundur që të izolohej dhe vatra ka marrë këto përmasa.”-thotë zjarrfikësi.

Ai shton se në raport me numrin e zjarreve dhe përmasat e tyre, forcat tokësore s’mund kurrsesi të izolojnë të gjitha flakët.

“Përgjithësisht mjetet i kemi, por për këto lloj situatash nuk duhen mjete, por duhen forca. Duhet angazhim edhe nga institucionet më lart. Nuk mund të izolohet me forca tokësore një vatër zjarri. Mjetet i kemi, por nuk kemi rrugët, resurset e tjera që t’i vemë mjetet në dispozicion.

Jemi dy drejtues dhe 14 punonjës operativë, duke mbajtur gatishmërinë edhe në qytet dhe zona të tjera. Kemi ndarë efektivin 50% në terren. Kjo është vatra më e keqe që mua më ka rastisur për arsye që ka një përhapje shumë të madhe. Detyrë fisnike dhe e vështirë. Ka shumë risqe. Dua t’i falenderoj të gjithë zjarrfikësit, për mundin dhe sakrificën”.-tregon zjarrfikësi.

Po kur ikën nga shtëpia, çfarë i thonë familjarët? Lleshaj kujton fjalët e të birit 7 vjeçar. Sytë i përloten.

“Kam çunin që është 7 vjeç dhe kur shikon një tym thotë “babi mos shko”. Kur sheh një zjarr në televizor thotë “babi të lutem mos shko”. Kjo është e gjitha”, tha ai.