“Një tmerr i vërtetë” Rrëfimi i shqiptarit që u largua nga Ukraina, e shoqja ka mbetur ende atje

 “Një tmerr i vërtetë” Rrëfimi i shqiptarit që u largua nga Ukraina, e shoqja ka mbetur ende atje

Romeo Vela është një ndër shumë shqiptarët që jetojnë në Ukrainë. Ai me të shoqen u zgjuan të enjten prej zhurmës së bombave ruse. Të dy nisën të largohen që të enjten pasi banonin në Karkiv, një ndër qytetet më të prekura nga lufta.

 “Jemi zgjuar nga shpërthimet e bombave. Morëm telefonatën nga kunati që të largohemi nga qyteti. Ishim pak me fat që u nisëm herët nga Kharkiv pasi po bëhej kaos në trafik. Të gjithë shikonin se ku mund të merrnin karburant, kishte njerëz në radhë në bankë, për të marrë ujë. Unë arrita të kaloja por vëllai i bashkëshortes nuk e lejuan. Kishte dokumentin që tregonte paaftësinë për të marrë pjesë në luftë por duhej rinovuar.”, tha Romeo.

Romeo shtoi se ai arriti të kalojë kufirin, por vëllai i bashkëshortes së saj nuk u la të kalonte kufirin, pavarësisht se ai kishte një dokument që vërtetonte paaftësinë e tij për të luftuar. Bashkëshortja e Romeos qëndroi prapa për t’u kujdesur për të vëllanë e nënën, ndërsa Romeo u largua drejt Rumanisë.

“Gruaja, kunati me nusen e vet dhe të ëmën po qëndrojnë afër kufirit në një familje që i ka strehuar. Nuk është aq e rrezikuar pjesa perëndimore e Ukrainës. Pas vdekjes së nënës time, ky ishte momenti më i vështirë i jetës. Familjarët patën kërkuar që të largohesha që një muaj, nuk mund të ikja pa njerëzit e tjerë dhe kjo më bëri që të rrezikoja jetën.

Po pres gruan në Rumani. Isha me fat pasi u futëm në korsinë e krahut tjetër për të parakaluar një radhë makinash 4 kilometra që kishim para. Duhej 5-6 ditë që të kaloje, u futëm në korsinë e kundërt për të arritur te kufiri.“, tregoi Romeo në një intervistë për abcnews.