Njeriu që jeton i vetëm prej 40 vitesh

 Njeriu që jeton i vetëm prej 40 vitesh

Për afro 40 vite ai jeton qindra kilometra larg zonave të banuara. Pa elektricitet. Pa ujë. Jeton në një kabinë druri në malësinë e Skocisë.

“Është një jetë e mirë… shumëkush dëshiron të mund të jetojë kështu, por asnjëri nuk e bën”

Por jo të gjithë janë të mendimit se një jetesë e tillë është e mirë. Jo të gjithë mendojnë se mund të jetohet pa ujë në rubinet, pa elektricitet apo se larja e rrobave duhet bërë me duar. Aq më tepër në moshën 74 vjeçare.

Kjo është mosha e Ken Smith, burrit që për 40 vitet e fundit e ka jetuar jetën e tij larg të tjerëve. Për të arritur në kabinën e Kenit, do duhet të ecësh dy orë larg rrugës më të afërt.

Kabina ku jeton i moshuari, foto e shkrepur ne vitet ’80

I moshuari tregon se pranë lumit ku ai peshkon për ushqim, dikur jetonin njerëz.

“Këtu nuk ka rrugë, por dikur para se të ndërtonin një digë këtu pranë, jetonin njerëz. Të gjitha rrënojat i gjen atje poshtë, tani i vetmi njeri këtu jam unë”

Një producente filmash u takua me Kenin afro 9 vite më parë. Në vitet e fundit ajo filmoi jetën e të moshuarit për një dokumentar që u përcoll në BBC.

I moshuari tregon se ai nisi të punojë që në moshën 15 vjeçare, në ndërtim. Jeta e tij ndryshoi në mënyrë drastike në moshën 26 vjeçare, kur një grup gangsterësh e rrahën. Ai pësoi hemorragji në tru dhe humbi ndërgjegjen për 23 ditë.

“Më thanë se kurrë nuk do të shërohesha. Më thanë se kurrë nuk do të flisja, por në fakt unë fola. Më thanë se nuk do të ecja dot më, por në fakt eca sërish. E në atë kohë vendosa që nuk do të jetoja jetën time në termat e të tjerëve.”

Keni nisi të udhëtojë nëpër vende të ndryshme dhe dukshëm nisi ta tërheqë ideja e të jetuarit në natyrë. Teksa vizitonte disa zona të shkretuara në Alaskë, mendoi se çfarë do të ndodhte sikur… thjesht të ikte larg të gjithëve. Përshkroi 22 mijë milje, para se të shkonte në shtëpi.

Kur arriti, mësoi se të dy prindërit e tij kishin ndërruar jetë.

“M’u desh disa kohë derisa më erdhi goditja… nuk ndjeja asgjë”

Keni nisi sërish udhëtimin larg njerëzve dhe në një moment, kur ndodhej në malësinë e Skocisë, mendja i shkoi tek prindërit… nisi të qajë.

“Gjatë gjithë ecjes, qava, vetëm qaja”-kujton i moshuari.

Që nga ajo kohë dhe me ikjen e dy njerëzve më të dashur, Keni iu largua botës dhe qëndroi i vetëm. Sot ai është 74 vjeç dhe ende jeton si një hermit.