“Nuk do vdisja pa i takuar” E moshuara takon pas 74 vitesh familjen shqiptare që i shpëtoi jetën

 “Nuk do vdisja pa i takuar” E moshuara takon pas 74 vitesh familjen shqiptare që i shpëtoi jetën

Në fillimin e verës së vitit 1943, Shalom Adishe bëri gati ato pak plaçka dhe la Prishtinën e pushtuar nga nazistët për të ardhur drejt Shqipërisë. Me të ishin e shoqja Nina dhe vajza dy vjeçe, Sonja. Kaluan kufirin si klandestin në një mesnatë qershori dhe mbërritën në rrugicën ‘Dogajtë e reja’ të Shkodrës, atje ku ndodhej lokali i Agostin Çiftjes.

Agostini, një burrë me shtat të lartë, po mbyllte lokalin kur përpara i doli familja. Agostini i pyet në shqip “Prej kah jeni”? Përgjigje nuk mori. Burri i pyet në Italisht e pas një hezitimi mori përgjigje nga Shalom Adishe “nuk jemi italianë, por hebrenj. Kërkojmë një strehë ku të fusim kokë”.

74 vite kanë kaluar nga ajo ditë dhe 2 vjeçarja Sonja, tashmë një grua e moshuar, ka ardhur sërish në Shqipëri, për të takuar familjen që i shpëtoi jetën asaj e prindërve. Ajo ka ardhur së bashku me fëmijët e nipërit për të takuar familjen Çiftja.

Në krah të Sonjës është ulur i biri i Agostinit, burrit që i strehoi në vitet 43’ (foto mësipërme). Gjoni, djali i Agostinit, është 84 vjeçar dhe e mban mend kohën kur familja Adishe erdhi dhe u strehua në shtëpinë e tij.

Sonja ishte fare e vogël në atë kohë e nuk mban mend detaje, por Gjoni kujton disa prej tyre. Gjoni mban mend disa prej fjalëve të babait, Agostinit, drejtuar familjes hebreje.

“Kjo është streha eme. Ju do të flini në dhomën time të gjumit, ndërsa unë dhe gruaja e fëmijtë e mi do të rregullohemi në pjesën tjetër të shtëpisë… Kjo është Shkodra. Ju do të rrini këtu sa të doni dhe do të ndajmë gjithçka bashkë, në të mirë dhe në të keq”, kujton Gjoni, disa prej fjalëve të të atit.

“Në rrugicë jetonin vetëm katër familje shqiptare. Gjermanët kishin dhënë urdhër që dyert e portave të shtëpisë të qëndronin të hapura. Kjo ishte tepër shqetësuese dhe e rrezikshme. Nga momenti në moment, gjermanët mund të futeshin në shtëpi dhe t’i gjenin miqtë aty”, vijon me rrëfimin e tij Gjon Çiftja.

Kësisoj familja shkodrane mori vendim që burrë e grua të largoheshin në zonat rurale, ndërsa Sonja 2 vjeçe të qëndronte në shtëpinë e tyre. Deri në përfundim të luftës, familja qëndroi në Thumanë. Agostini u dërgonte ushqime e veshmbathje, ndërsa Sonja rritej si vajzë e familjes Çiftja.

Pas luftës familja hebreje vendos të largohet. Në pasaportë emri i Shalomit u bë në Shaban, ndërsa Nina e Sonja mbajtën emrat e tyre. Familja u nis drejt Maqedonisë e më tutje në Izrael.

Para se të ndaheshin, Agostini i kishte dhënë një kuti duhani Shalomit. Ashtu siç kujton i biri, Gjoni, ngjarjet:

“Unë nuk e pi duhanin, ti e di”, -i kishte thënë Shalomi.

“Merre dhe mbaje si kujtim, por hape të shikosh çfarë duhani ke brenda”, ia ktheu Agostini.

Brenda kutisë ishin bizhutë që familja hebreje kishte lënë në shtëpinë e familjes nga Shkodra.

Sonja ndërkohë tregon se është lidhur me familje Çiftja që në vitet ’90. I kishte mësuar historinë djemve të saj. E para që kishte kontaktuar kishte qenë nëna e saj, Nina, e cila i kishte dërguar letër familjes përmes një shqiptari në Izrael.

Pas mbërritjes në Shqipëri të shqiptarit (Refik veseli) Gjoni e Nina filluan letërkëmbimin bashkë

 “Janë 40 letra që nëna ime dhe vëllai i kanë shkruar njëri tjetrit,” pohon Sonja.

Ndërsa dëgjon historinë, Sonja Adishe përsërit se është e emocionuar që takoi “vëllanë dhe motrën” e saj nga Shqipëria.

“Nuk do të vdisja pa i takuar,” përfundon ajo.

Burimi: BIRN, Përshtati: Shqiptarët për Shqiptarët.info