Kapet Dardan Krivaqa, i riu që vrau 18 vjeçaren për xhelozi! Fjalët e babait pasi varrosi të bijën, Marigonën

 Kapet Dardan Krivaqa, i riu që vrau 18 vjeçaren për xhelozi! Fjalët e babait pasi varrosi të bijën, Marigonën

Ka përfunduar këtë të martë arratisja e Dardan Krivaqës, i riu nga Kosova që akuzohet për vrasjen e 18 vjeçares Marigona Osmani.

Pak ditë më parë Krivaqa së bashku me mikun e tij Arbër Sejdiu, sollën në spital trupin e pajetë të 18 vjeçares. E braktisën dhe u larguan. Policia nisi ndjekjen, e fillimisht ndaloi Sejdiun. Sot u arrit të kapej dhe Krivaqa, i cili prej dy muajsh ishte martuar me 18 vjeçaren.

Shkak i dhunës barbare kanë qenë dyshimet e Krivaqës se vajza e ka tradhëtuar

Sipas prokurorisë, Dardan Krivaqa e vrau në mënyrë mizore e për motive xhelozie 18 vjeçaren, pasi dyshonte se e kishte tradhëtuar me kushëririn e tij. Për këtë arsye, i dyshuari kryesor ka ushtruar dhunë ndaj Marigonës, derisa ajo ka ndërruar jetë.

Sot Marigona u përcoll për në banesën e fundit

Këtë të martë trupi i 18 vjeçares u përcoll në varreza (Ferizaj). Qindra njerëz morën pjesë në ceremoninë mortore, ndërsa në emër të familjes, një prej familjarëve të viktimës tha këto fjalë:

“Besoj se organet e Kosovës do ta çojnë drejtësinë deri në fund, uroj që të jetë rasti i fundit dhe fjala përfundimtare të jetë stop sepse të rinjtë kanë nevojë me gëzu lirinë, drejtësinë… Bashkë na keni lehtësu dhimbjen e madhe, që na tronditi jo vetëm familjen por tërë botën shqiptare…Jemi falënderues për gjithë këtë pjesëmarrje”

Mesazhi i babait të së ndjerës

Për shkak të interesimit të madh të medias, babai i 18 vjeçares ka folur pas ceremonisë mortore të së bijës.

“Jemi të kënaqur me policinë e Ferizaj, që e kanë dhënë maksimumin që edhe kanë bërë arrestimet, dhashtë Zoti që kjo të jetë e fundit, jo ndaj vajzës sime por në përgjithësi që mos të na ndodhin më këto raste tragjike”, u shpreh babai i të ndjerës.

Reagimi i vëllait të Dardan Krivaqës, i dyshuari kryesor për vrasjen e 18 vjeçares

Pas arrestimit të Dardan Krivaqës, Kastrioti, vëllai i tij i madh, ka përcjellë në rrjetin social një mesazh. Ai shkruan se i vëllai gjatë tërë jetës ka sjellë telashe e probleme dhe kurrë nuk i ka përfillur këshillat e ndihmën e tij.

“Unë si vëlla i madh jam përkujdesur për familje qysh në moshë shumë të re nga se herët kam mbetë pa baba, por jam mundu që “vëllaun” ta këshilloj dhe ndihmoj”, por ai asnjëherë nuk e ka dëgjuar askënd”, thotë Kastrioti.

Momenti kur Dardan Krivaqa shkon në polici, nën pranga

Protesta

“Dënim maksimal për Dardan Krivaqën”, “Poshtë institucionet patriarkale”, “Jeta e grave hajgare për policinë”.

Këto kanë qenë disa nga thirrjet që janë bërë gjatë protestës së mbajtur sot në Ferizaj, një protestë e cila u ngrit pikërisht për shkak të humbjes së 18 vjeçares. Protesta ka qenë e madhe, e madje disa prej tubuesve kanë qëlluar me bojë të kuqe në drejtim të oficerëve të policisë.

Rrëfimi i dajës së 18 vjeçares

Daja i Marigonës tregoi për median në Kosovë (dje) se vajza kishte dy muaj e martuar me 29 vjeçarin.

“Unë jam daja i M. Dje e kemi marrë vesh dikur rreth orës 22:00, nuk kemi ditë diçka që ka ndodh. Por në bazë të informatave, e kemi marrë vesh që është mbesa jonë. Kemi ardhë këtu, kemi bisedu me familjen. Kjo është e vërtetë, ajo është martu që 2 ose 3 muaj…Vajza nuk ka tregu kurgjë që ka raporte të këqia, por në bazë të rrethanave, si dajë, kemi pyet kush është filani (burri i saj). Nuk kanë folë fjalë të mira, që është njeri i sjellshëm ose djalë i mirë, por e paska pas fatin…U njoftu me të, u martu, kur ka ardhë në shtëpi, se kam qëllu unë këtu një herë ose dy, më kanë thënë dajë mirë jemi duke kalu. Diçka që me thanë që s’po shkon mirë, s’na ka tregu”-tha daja, i cili shtoi me tutje:

“Janë martu, banesën e kanë pas qaty, ja kish pas nis vajza me punu diku një javë apo dhjetë ditë më një vend, por për çka u largu prej punës nuk muj me ditë. Fjalë të popullit, e kanë hetu që është femra e filanit dhe e ka largu, se s’ka desht me pas probleme me të”