“Pakkush i ka tre fëmijë” Pse po bien lindjet në Shqipëri, çfarë thonë qytetarët

 “Pakkush i ka tre fëmijë” Pse po bien lindjet në Shqipëri, çfarë thonë qytetarët

Vitet e fundit Shqipëria është “plakur” ndjeshëm, ndërsa numri i lindshmërisë vijon të ulet. Shifrat e fundit të INSTAT- për lindjet e vdekjet në tremujorin e tretë të këtij viti, tregojnë po ashtu për një rënie të vazhdueshmë të numrit të lindjeve.

Por çfarë thonë qytetarët dhe cili është shkaku kryesor, sipas tyre, se përse shqiptarët nuk po bëjnë më fëmijë. Top channel ka marrë prononcimet e disa qytetarëve, të cilat i gjeni më poshtë.

“Kushtet ekonomike janë të parat, rrogat minimale, si mund të krijojë një çift i ri tani familje me këto paga që janë? Mendohen shumë herë e nuk e marrin atë hap. Këto kushtet tona nuk po i merr njeri për bazë e nuk po i zgjidh njeri.”, u shpreh një grua.

“Nuk bëjnë fëmijë, ndoshta si çift mund të jenë të lumtur, por fëmija ka kosto, kanë frikën e të ardhurave.”-tregoi një grua

“Po nuk kanë me çfarë t’i mbajnë fëmijët…”,tha një qytetar.

“Kushtet ekonomike janë, fëmijët po ikin jashtë. Po të ketë këtu kushte, i bëjnë fëmijët. Unë kam dy vajza, njëra ka bërë dy fëmijë, tjetra një.”-tregoi një grua.

“Ne bëmë Pazar me nipin, tani po shkojmë në shtëpi. Sot nuk kanë të ardhura, pa shtëpi janë, por edhe ikin e emigrojnë. Prindërit e mi bënë 4 fëmijë, unë dy, po ashtu dhe fëmijët e mi.”, u shpreh një tjetër burrë.

“Edhe tek ne ka rënë në Kosovë, kriza ekonomike, papunësia. Në Kosovë po bien lindjet, tre fëmijë pak kush i ka”-tha një shqiptare e Kosovës.