Një fëmijë 8 vjeçar gjendet i pajetë në Fier, trupi i vogëlushit ishte mbuluar me baltë

 Një fëmijë 8 vjeçar gjendet i pajetë në Fier, trupi i vogëlushit ishte mbuluar me baltë

Një ngjarje tragjike, një fëmijë 8 vjeçar i gjendur i pajetë, mbuluar në baltë.

Kështu ka ndodhur këtë të martë në fshatin Greçalli të Fierit, atje ku policia i është përgjigjur thirrjes së një gruaje, e cila ka denoncuar zhdukjen e të birit.

Policia ka nisur kontrollet dhe fëmija është gjendur pa shenja jete. Autoritetet kanë shoqëruar një person, në shtëpinë e të cilit është gjetur i pajetë fëmija i mitur.

38 vjeçari i arrestuar është fqinji, i cili dyshohet ta ketë rrëmbyer fëmijën e më tutje ta ketë vrarë. Mbeten ende të paqarta shkaqet e këtij krimi, ndërsa policia publikoi këtë njoftim zyrtar.

Njoftimi i policisë

Sot rreth orës 15:30 është bërë njoftim nga shtetasja F. V se nuk është kthyer në banesë djali i saj i vitlindjes 2013.

Me marrjen e njoftimit shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë bërë shpalljen në kërkim dhe në mënyrë të menjëhershme nga veprimet në terren, duke vlerësuar maksimalisht situatën dhe rëndësinë e saj, kanë marrë informacion, kanë punuar në grumbullim dhe administrim të provave dhe kanë bërë të mundur gjetjen e vendit të dyshuar ku mund të ndodhej fëmija i humbur.

Mbi bazën e vlerësimit të provave, në banesën e shtetasit K. Ç., 38 vjeç, pas kontrollit, është bërë e mundur gjetja e trupit të fëmijës së dyshuar i humbur, i mbuluar me baltë.

Menjëherë është bërë kapja dhe shoqërimi i autorit të dyshuar në Komisariatin e Policisë Fier dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier po punohet për kryerjen e veprimeve të plota procedurale, zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe motiveve të saj.