Pamje dramatike, shpërndarësi i picave arrin t’u shpëtojë jetën 5 fëmijëve

 Pamje dramatike, shpërndarësi i picave arrin t’u shpëtojë jetën 5 fëmijëve

Një 25 vjeçar, shpërndarës picash, është kthyer në heroin e një qyteti të tërë (Indiana) për aktin e tij heroik. Nikolas Bostik, mundi të shpëtojë prej flakëve 5 persona, të gjithë familjarë përveçse një 13 vjeçari.

Shpërndarësi i picave po kalonte rastësisht në zonë pak pas mesnatës, kur pa një shtëpi private dykatëshe, e cila ishte përfshirë nga flakët e tymi. Përreth s’kishte zjarrfikës, e kësisoj vendosi të shkojë i vetëm për të parë nëse kishte njerëz në banesë. Në fakt atje ishin 5 persona, 4 prej të cilëve fëmijë të vegjël.

Nikolas arriti të shpëtojë të parin një 18 vjeçar, i cili po flinte gjumë më vëllezërit e motrën të moshave 1, 6, e 13 vjeç. Ky i fundit kishte sjellë në banesë dhe një mikun e tij, po 13 vjeçar.

25 vjeçari nuk kishte me vete as celularin e tij për të marrë autoritetet e kësisoj hyri i vetëm mes tymit e flakëve. Pasi mundi të nxjerrë nga shtëpia 18 vjeçarin me foshnjen e dy 13 vjeçarët, i riu u detyrua të hyjë sërish brenda për të nxjerrë prej aty 6 vjeçaren.

Kësaj here tymi ishte aq i dendur saqë 25 vjeçarit iu desh të shtrohej në spital më tutje. Vajzën 6 vjeçe, shpërndarësi i picave ka arritur ta gjejë vetëm duke dëgjuar klithmat e saj, pasi në godinë s’mund të shihej më. Pasi gjeti vajzën në katin e dytë, Nikolas goditi me grusht një prej dritareve dhe u hodh bashkë me të miturën nga kati i dytë.

Ky është dhe momenti kur në vendin e ngjarjes kishin mbërritur policia e zjarrfikësit. Kamera e njërit prej tyre kapi çastin kur Nikolas del prej flakëve me vajzën e vogël, ndërsa ai vetë kishte marrë një të çarë të thellë në krah.

Fatmirësisht i riu i shpëtoi vdekjes nga thithja e tepërt e tymit dhe është në gjendje të mirë shëndetësore. Shumë oficerë e zjarrfikës mbetën të mrekulluar nga guximi e shpejtësia me të cilën 25 vjeçari shpëtoi jetë e për këtë akt heroik, shpërndarësi i picave do të dekorohet.

“Jam i lumtur që isha atje, në kohën dhe vendin e duhur. Nëse do të ndodhte sërish, nuk do të hezitoja të shkoja atje. E dija që në çdo sekondë rrezikoja, por çdo sekondë atje ia vlejti.”-tregoi për median amerikane 25 vjeçari.

Më poshtë një intervistë e dhënë nga Nikolas, për Fox.