Pamjet dramatike, dy të rinjtë e guximshëm arrijnë të shpëtojnë vajzën duke u varur nga kati 8-të

 Pamjet dramatike, dy të rinjtë e guximshëm arrijnë të shpëtojnë vajzën duke u varur nga kati 8-të

Tre studentë i shpëtuan për fije vdekjes nga zjarri e tymi që kishte përfshirë të gjithë katin e nëntë të godinës ku banonin. Timur e Adel, dy të rinj në të 20-tat marrin guximin dhe zvarriten drejt e tek dritarja e katit të 8-të, me shpresën se në apartamentin aty do të kishte njerëz.

Fatmirësisht aty ndodhej i zoti i shtëpisë, i cili hapi dritaren dhe i dha mundësinë të rinjve që të kapen me duar për t’u bërë gati për t’i shpëtuar jetën një 18 vjeçareje, e identifikuar si Irina.

Pak momente para se e reja të fillojë të zvarritet nga kati i 9-të drejt studentëve, njëri prej këtyre të fundit për pak sa nuk rrëshket.

“Po mbahesha fort tek korniza e dritares me dorën time të djathtë kur papritur këmba e Timurit rrëshkiti. Arrita ta ndihmoj me dorën e majtë që ai të mund të kapej më mirë tek dritarja”-shpjegoi Adeli.

Pa e kuptuar se një lëvizje e gabuar, mund t’i kushtonte jetën dy 20 vjeçarëve, këta të fundit arrijnë të presin dhe kapin 18 vjeçaren e cila zbret me kujdes nga dritarja e katit të 9-të në dritaren më poshtë.

“Falë Zotit, pronari i banesës në katin e 8-të ishte në shtëpi. Nëse nuk do të ishte për të, nuk e imagjinoj dot se çfarë do të mund të ndodhte”-tha njëri prej të rinjve.

Një prej dy djemve përfundoi në spital për shkak të djegieve në trup, ndërsa 18 vjeçarja u mjekua pasi ishte lënduar e prerë, si dhe ishte helmuar nga thithja e monoksidit të karbonit (tymit).

Ngjarja ndodhi pak ditë më parë në Moskë dhe u raportuar gjerësisht në mediat e huaja.