Shuhet në moshën 78 vjeçare aktori i njohur Anastas Kristofori

 Shuhet në moshën 78 vjeçare aktori i njohur Anastas Kristofori

I njohur nga të gjithë shqiptarët për rolin e tij ikonik në komedinë “Pallati 176”. Sot është ndarë nga jeta në moshën 78 vjeçare aktori i mirënjohur Anastas Kristofori.

Aktori vuante nga një sëmundje e rëndë që e ndau nga kjo botë. Ai do të përcilet për në banesën e fundit ditën e nesërme, në Vuno, fshatin e tij të lindjes.

Kush ishte aktori Anastas Kristofori

Ai lindi më 28 nëntor të vitit 1943 në fshatin Vuno të rrethit të Vlorës. Pas mbarimit të studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) në vitin 1970, filloi punën me Trupën Profesioniste të Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar) në vitin 1971. Të shumta ishin interpretimet e tij në skenën e këtij teatri.

Këtu mund të përmendim rolin e zotit Dëllfit në dramën “Arturo Ui” të Bertold Brehtit, roli i sekretarit të Prefektit në dramën “Prefekti” e Besim Levonjës, rolin e Apostolit në dramën “Komunistët” e Ruzhdi Pulahës, rolin e Perikliut në komedinë “Pallati 176” e Adelina Balashit e shumë të tjera. Roli i fundit ishte në vitin 2009 në teledramën “Burgjet plot liria në derë”.

Në kinematografi roli i tij i parë do të jetë në vitin 1976 roli i Stavrit, Ekonomatit të Strehës Vorfnore në filmin “Lulëkuqet mbi mure” më tej do të vazhdonin edhe role të tjera si psh: roli i Ndoc Markut në filmin “Besa e kuqe” në vitin 1982, rolin e z.Antonio, Kuestorit të Tiranës në filmin “Vendimi” në vitin 1984, rolin e z. Mavrojanis në filmin “Misioni përtej detit” në vitin 1988 etj. Anastas Kristofori është vlerësuar me titullin e lartë “Artist i Merituar”.