Pamjet nga Kosova, reshjet e dendura sjellin disa dëmtime

 Pamjet nga Kosova, reshjet e dendura sjellin disa dëmtime

Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë përmbytje në disa zona të Kosovës.

Mbrëmjen e ditës së djeshme një familje në lagjen ‘Deremhallë’ në komunën e Gjilanit u largua nga banesa e tyre për shkak të vërshimeve. Këtë të dielë probleme ka patur në disa pjesë të Gjilanit, ku uji ka mundur të depërtojë në disa bodrume e banesa private.

Sipas kreut të komunës së Gjilanit, janë kryer afro 25 ndërhyrje nga rreth 52 thirrje për ndihmë.

Edhe komuna e Skënderajt pati reshje të dendura dhe breshër të shtunën. Dëmet më të shumai shin në të mbjellat e fermerëve.

“Ka pasur dëme të konsiderueshme në Skenderaj goxha shumë nga breshëri, në kultura bujqësore, po ashtu edhe në ekonomi familjare dhe disa çati të shtëpive janë rrëzuar”, tha ai kreu i komunës, në një prononcim për REL.

Ndërkohë, Klan Kosova ka përcjellë disa pamje nga komuna e Gjakovës, ku reshjet e breshërit dhe era e fortë kanë përmbytur disa rrugë e madje rrëzuar dhe një pemë në qytet.

Çfarë parashikoi Instituti Hidrometeorologjik I Kosovës?

Të premten (16 korrik) instituti doli me një njoftim për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke njoftuar se për ditët e ardhshme do të ketë reshje shi e breshëri. Megjithatë, sipas njoftimit, nuk parashikohet të ketë rrezik për përmbytje serioze apo dalje të limenjve nga shtrati.

“Në lumenjtë kryesorë, sipas rrjetit të stacioneve hidrometrike në Kosovë, nuk parashihet që të kenë lëkundje të theksuara të niveleve dhe prurjet të ujit, prandaj edhe nuk do të ketë rrezik nga përmbytjet lumore”, thuhej në njoftim.