Pamjet video, filmohet në Vlorë një prej gjitarëve më të rrallë të rivierës shqiptare

 Pamjet video, filmohet në Vlorë një prej gjitarëve më të rrallë të rivierës shqiptare

E njohur me emrin shkencor Monachus monachus (Monakus-monakus), pamjet video të regjistruara dje në parkun kombëtar Karaburun- Sazan, filmuan një ndër gjitarët më të rrallë të Mesdheut.

Gjitari në fjalë është foka mesdhetare, një specie që e gjen edhe në rivierën shqiptare. Fatkeqësisht ky lloj gjitari rrezikon të zhduket. Ekspertët mendojnë se ekzistojnë vetëm 700 foka mesdhetare në glob.

“Foka mesdhetare e njohur me emrin shkencor Monachus monachus është ndër gjitarët e rrallë të përhapur në rivierën shqiptare. Më pak se 700 individë mendohet të kenë ngelur nga kjo specie, gjë e cila e rendit ndër speciet e rrezikuara në mënyrë kritike si në Listën e Kuqe të specieve në Shqipëri ashtu edhe në Listën e Kuqe të IUCN-së.

Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Vlorë, në bashkëpunim me peshkatarët e zonës, akuakulturën dhe agjensitë turistike siguron informacionin e nevojshëm nga vëzhgimet në terren, bashkëpunim i nevojshëm për sigurimin e mbrojtjes së fokës dhe rritjen e mundësisë për suksesin e riprodhimit në vendin tonë.”-njoftoi në rrjetin social Administrata rajonale e zonave të mbrojtura në Vlorë.

Foto ilustruese, si duket Monachus monachus