Pas 12 ditësh kërkime në lumin Fan, gjendet trupi i pajetë i 10 vjeçarit

 Pas 12 ditësh kërkime në lumin Fan, gjendet trupi i pajetë i 10 vjeçarit

Është gjetur pas mëse 10 ditësh kërkime trupi i pajetë i një të mituri i cili u mor nga rrjedha e lumit Fan në një fshat të Mirditës, teksa vogëlushi tentonte të merrte topin që i ra në lumë.

Trupi i pajetë i të ndjerit është gjetur pranë HEC-it të Repsit. Pak ditë më parë familjarët e vogëlushit bënë një apel për t’i thelluar kërkimet në këtë zonë e rezultoi se trupi i të miturit ndodhej pikërisht atje.

Siç shpjegoi Ministria e Mbrojtjes, trupi i 10 vjeçarit është gjetur pranë digës së Reps, në thellësinë 7 metra.

“Polumbarë të Forcës Detare, të Forcave të Armatosura u angazhuan për më shumë se 10 ditë në kërkimet për gjetjen e trupit të fëmijës 10-vjecar, që u mbyt më datë 5 prill në lumin Fan, në Mirditë. Trupi i pajetë është nxjerrë sot. Ai u gjet pranë digës së hidrocentralit në Reps, në thellësinë 7 metra. Kërkimet u zhvilluan në brigjet e lumit Fan, edhe në kushte të moti ekstrem.
Trupi i pajetë iu dorëzua autoriteteve dhe familjarëve për procedurat e mëtejshme.” –njoftoi Ministria e Mbrojtjes.