“Si e zbuluam sëmundjen e vajzës” Rrëfimi i babait të Leas: Isha i zhytur në errësirë

 “Si e zbuluam sëmundjen e vajzës” Rrëfimi i babait të Leas: Isha i zhytur në errësirë

Në studion e emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët” mbrëmjen e djeshme ishte i pranishëm Armando, babai i Leas, vogëlushes së prekur nga kanceri në shtyllën kurrizore. Ai tregoi për publikun momentet kur mësuan lajmin e kobshëm.

Armando: Para se të kalojmë tek sëmundja, do doja të tregoja sesi ishte Lea. Ishte një fëmijë shumë aktiv, buzëqeshte, ecte lëvizte shumë në shtëpi… deri para afro tre javësh, kur doli që kishte këtë sëmundje. Kur morëm vesh që kishte sëmundjen, aty ndryshoi komplet bota jonë. Nuk dinim më çfarë të bënim, se ku t’ja mbanim.

Eneida: Ishte një vizitë rutinë apo…?

Armando: Kishim filluar të kuptonim se kishte diçka. Vajza nuk reagonte më. Kur morëm vesh lajmin, aty nuk mundëm dot më pastaj.

Elvisi: E tmerrshme…

Armando: Po, shumë… shumë e rëndë qe.

Elvisi: Tani që edhe ne jemi përfshirë, çdokujt prej nesh, të marrin një lajm të tillë… shumë thonë sa i fortë je, sepse të të vijë një lajm i tillë, tronditesh.

Amando tregoi se forcën e gjeti mes shqiptarëve, fondacionit Firdeus e mesazheve të shumta të mbështetjes që ka marrë. Shqiptarët bamirës bënë të mundur brenda një kohe rekord, dërgimin e Leas për kurim në Itali.

Armando: Forcën e gjeta mes jush këtu, mes gjithë shqiptarëve. Një telefonatë më erdhin pasdite e më thanë që ishin nga Fondacioni Firdeus. Unë isha i zhytur në errësirë e sikur më erdhi një dritë.