Po dërgonte fqinjin në spital, dinamika e aksidentit që i mori jetën oficerit të burgjeve

 Po dërgonte fqinjin në spital, dinamika e aksidentit që i mori jetën oficerit të burgjeve

Për të siguruar më shumë të ardhura për familjen, për dy fëmijët e tij. Luan Cenollari, oficer i Forcave Operacionale pranë Drejtorisë së Burgjeve, hiqte nga vetja orarin jashtë punës, për të bërë një punë të dytë si taksist.

Në orët e para të mëngjesit, ai u nis me makinën e tij me një pasagjer në makinë. Ishte një fqinj i tij siç mëson media, të cilin 58 vjeçari po e dërgonte në spital pasi nuk ndihej mirë.

Cenollari po udhëtonte nga Fakulteti i Inxhinierisë drejt kryqëzimit të “21 Dhjetorit”, kur papritur u godit me forcë nga një tjetër automjet. Impakti ka qenë i frikshëm, siç treguan dhe pamjet pas incidentit.

58 vjeçari humbi jetën së bashku me fqinjin, Ali Bejon, 59 vjeçar.

30 vjeçari që shkaktoi aksidentin tragjik vinte nga pallati me shigjeta në drejtim të qendrës. Në kryqëzim ishte hapur drita jeshile për Cenollarin dhe e kuqja për Emirjan Dokon. Ky i fundit u konstatua në gjendje të dehur. Në makinë kishte një pushkë ndërsa në trup një thikë. 30 vjeçari udhëtonte nga Kurbini, në shkelje të orës policore dhe me shpejtësi të lartë, çka bën që hetuesit të dyshojnë se i riu mund të ketë udhëtuar pas përfshirjes në ndonjë konflikt.

Por këto detaje ende nuk janë bërë të ditura pasi hetuesit nuk e kanë marrë në pyetje 30 vjeçarin, i cili ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore në spitalin e traumës në Tiranë.

Ndërkohë policia njoftoi se për 30 vjeçarin është vendosur masa e arrestit. Doko akuzohet për disa vepra penale.

“Specialistët e Qarkullimit Rrugor, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, në përfundim të veprimeve për aksidentin e ndodhur mëngjesin e sotëm, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. D., 30 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugore’’, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Ky shtetas, më datë 11.11.2021, rreth orës 03:20, në kryqëzimin “21 Dhjetori”, duke drejtuar mjetin “Citroen” është përfshirë në një aksident me mjetin “Honda” me drejtues shtetasin L. C., 58 vjeç. Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë në vendngjarje pasagjeri në mjetin “Honda”, shtetasi A. B., 59 vjeç, ndërsa drejtuesi, shtetasi L. C. ka ndërruar jetë në spital. Drejtuesi i mjetit “Citroen”, shtetasi E. D., ndodhet në spital, në gjendje të rëndë. Gjatë kontrollit të mjetit që drejtonte shtetasi E. D., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pushkë, ndërsa gjatë kontrollit fizik këtij shtetasi iu një armë e ftohtë (thikë)”.-njoftoi policia.