Prishtinë, një 14 vjeçar vritet me thikë teksa shkonte në shkollë

 Prishtinë, një 14 vjeçar vritet me thikë teksa shkonte në shkollë

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur këtë të martë në Vranjevc të Prishtinës, atje ku një 14 vjeçar i identifikuar me inicialet R.H, ka gjetur vdekjen në rrethana ende të pazbardhura nga autoritetet.

Ngjarja ka ndodhur jo shumë larg shkollës ‘Hilmi Rakovica’, atje ku i mituri vijonte studimet në klasën e 9-të.

Policia e Prishtinës dha këtë njoftim mbi rastin.

” Sot rreth orës 07:30, kemi pranuar informatën për një rast vrasje, në rrugën “Fahri Fazliu”, në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore.

Bazuar në të dhënat fillestare, personi i cili dyshohet se ka marrë lëndime të rënda nga një mjet i mprehët (thikë)  dhe i njëjti është dërguar në Qendrën e mjekësisë Familjare (QMF),  ku dhe është konstatuar vdekja e tij. Vdekjen e viktimës R.H. mashkull 14 vjeç, e ka konstatuar ekipi mjekësor në QMF. Aktualisht hetuesit policor kanë nisur një hetim për sqarimin e të gjitha rrethanave që lidhen me rastin”

Ende nuk dihet se kush është personi që ka kryer krimin e rëndë, ndërsa media në Kosovë raporton se një i mitur është shoqëruar në polici. Sipas nxënësve, shokëve të klasës, 14 vjeçari me inicialet R.H ishte një djalë i urtë.