“Pse po vjedh mor djalë?” Pronari i dyqanit e kthen ngjarjen e shëmtuar, në një akt mirësie

 “Pse po vjedh mor djalë?” Pronari i dyqanit e kthen ngjarjen e shëmtuar, në një akt mirësie

Çfarë do të bënit, sikur të shihni që dikush po ju vjedh? Për të dhënë një përgjigje, po sjellin për lexuesin rrëfimi e një pronari të vogël dyqani, i cili u përball me një adoleshent që i kishte vjedhur disa sende. Një histori me të vërtetë prekëse, që tregon për humanizmin njerëzor dhe dhënien e një modeli të bukur e të vlefshëm.

“Pashë që po merrte diçka dhe se shkoi në cepin e dyqanit. Kur erdhi afër banakut, nuk kishte asgjë në duar. U mërzita në fillim. Isha i nevrikosur, sepse kur dikush vjedh, ndjen sikur dikush të ka marrë paratë nga xhepi yt… se fundja kur po vjedh në dyqanin tim, po vjedh nga xhepi im.”-tregoi burri.

Pronari i dyqanit iu afrua adoleshentit dhe i tha të zbraste xhepat e tij. I riu bindet dhe nxjerr nga xhepat disa karamele, çokollata e gjëra të vogla, që nuk kushtonin më shumë se 20 dollarë.

I nevrikosur, pronari i dyqanit i thotë punonjësit të tij të marrë në telefon policinë. Më tutje pyet të riun.

“E pyeta, pse po e bën këtë mor djalë, pse po vjedh?

“Jam i uritur… mora për veten dhe vëllain tim të vogël”- i tha adoleshenti.

Në këtë moment, pronari i dyqanit stepet.

“Kur më tha që ishte i uritur… aty diçka ndryshoi, i gjithë perceptimi im (për rastin) ndryshoi… Ai nuk vinte rregullisht në dyqan. I thashë, djalë, nëse je i uritur mos merr karamele e çokollata, nuk do ta shuash urinë tënde me këto.”-tregon pronari i dyqanit.

Më tutje ai i kërkon punonjësit që të mbyllë telefonin e të mos marrë policinë. Ai shkon tek seksioni ku shitej ushqim i ngrohtë dhe nis të paketojë disa ushqime për adoleshentin.

“Mendova me vete… në rregull, ky djalë bëri një veprim të gabuar. Të paktën unë duhet t’i jap një tjetër shans. Pse t’i jap një impakt negativ në jetë, kur mund t’i jap një impakt pozitiv? Shumë gjëra po shkonin e vinin në mendjen time, por vendosa… jo, lëre të ikë, ai është thjesht i uritur, jepi ushqim dhe lërë të ikë. Se fundja po të ikë në burg, çfarë do të mësojë ai atje? Asgjë! Do mësojë vetëm gjëra të këqija në burg”-tregoi pronari i dyqanit.

E ky akt mirësie i këtij burri, do të kalonte pa u vënë re e pa u dëgjuar. Por një prej klientëve që ndodhej në market në atë moment, e përcolli të gjithë historinë në rrjetin social, duke shprehur vlerësimin për zemërgjerësinë e pronarit të dyqanit.