Punoi e kurseu 6 vite, shtëpinë ia mori tornado brenda pak minutave! Rrëfimi i shqiptarit në SHBA

 Punoi e kurseu 6 vite, shtëpinë ia mori tornado brenda pak minutave! Rrëfimi i shqiptarit në SHBA

“Pak sekonda njerëzit humbën jetën, të dashurit, makinat, shtëpitë, orenditë, gjithçka që mund t’i vësh emër. Një katastrofë e madhe.”

Kështu tregoi për median amerikane Gentian Emini, një 27 vjeçar me origjinë shqiptare i cili humbi shumëçka prej tornadove e stuhive të fuqishme që goditën SHBA-të.

Në prononcim për The Washington Post, Emini tregoi se kishte punuar e kursyer për 6 vite dhe ishte fare pranë përfundimit të banesës së tij, por tornado e shkatërroi godinën brenda pak minutave.

“Këtu ishte shtëpia ime dykatëshe të cilën po e ndërtoja për veten e familjen time. Isha në proceset e fundit të shtëpisë e më thanë se nuk mund të më siguronin. Nuk kisha sigurime e kam humbur mbi 150 mijë dollarë. Jemi të shokuar ende, nuk kemi më kursime… sepse për 6 vite me radhë kam hedhur të gjitha kursimet e mbledhura në punë, në këtë shtëpi.

Është e pabesueshme, kurrë nuk e mendon se diçka që e ke ndërtuar… ta gjesh në këtë gjendje. Shpresoj e lutem që kjo kurrë të mos i ndodhë askujt, asnjëherë”-tha 27 vjeçari.

Siç shpjegon vetë Emini teksa ka hapur një thirrje për ndihmë, shtëpia e tij nuk do të dëmshpërblehet. Kjo pasi procesi i sigurimit të banesës ende nuk kishte përfunduar. Pavarësisht humbjes së madhe, Emini së bashku me të shoqen dhe vajzën e vogël janë mirë me shëndet.

Shtepia ne ndertim e te riut, para se tornado ta hidhte ne toke