“Unë jam duke punu… ju lutem me m’i kthy fëmijët, se po më lënë mendtë për ta”

 “Unë jam duke punu… ju lutem me m’i kthy fëmijët, se po më lënë mendtë për ta”

Me arsyetimin e kushteve të këqija të jetesës dhe pamundësisë për t’u përkujdesur siç duhet për vajzën e djalin, 9 e 12 vjeçarë, ky baba ka mbetur pa fëmijët e tij. Autoritetet ia morën të miturit dhe i dërguan në një strehimore në Prishtinë.

Ismail Rexhepi e kalon ditën në trishtim të thellë.

Fëmijët m’i kanë marrë, nuk më kanë thënë për çka por po i bie si me tradhëti. Jo ju blejmë diçka, ju ndihmojnë. I kanë marrë, i kanë çu atje, s’po e di as ku”, tha babai i dy fëmijëve.

Por përveç kësaj banese me të vërtetë pa asnjë kusht, sot e tri vite familja Rexhepi ka një tjetër shtëpi ku banon, një godinë që iu dha në shenjë bamirësie. Rexhepi deklaron se ai tashmë punon dhe ka mundësi të mbajë fëmijët e tij. Kërkon prej autoriteteve që t’ja kthejnë mbrapsht, ndërsa lotët i shkojnë në fytyrë.

“Unë rrogën e kam të mirë jam tu punu, për këta fëmijë, edhe gjithmonë dëshirat ua kam plotësu… Ju lutem me m’i kthy fëmijët, se po më lënë mendtë për ta”, tha babai përmes një interviste në T7.

Ndërkohë Qendra për Punë Sociale në Podujevë nuk ka dashur të deklarohet në detaje mbi rastin, duke argumentuar se veprimet u ndërmorën për të mirën e fëmijëve të mitur. Edhe nga policia e Kosovës u tha se kushtet ku jetuan fëmijët ishin minimale për jetesë.