Shpërthimi i bombulës së gazit plagos rëndë nënën me tre fëmijët, si ndodhi ngjarja në Velipojë

 Shpërthimi i bombulës së gazit plagos rëndë nënën me tre fëmijët, si ndodhi ngjarja në Velipojë

Një shpërthim i fuqishëm i bombulës së gazit, ka sjellë plagosjen e rëndë të 4 personave në Velipojë.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, në një hotel tre katësh, ndërsa të lënduar janë shtetasit Alketa Gjoka 40 vjeçe, dhe fëmijët e saj D. Gj. 19 vjeçe, K. Gj. 15 vjeçe, dhe E. Gj. 12 vjeç.

Policia e Shkodrës njoftoi më herët se anëtarët e familjes janë dërguar në spitalin e Shkodrës e më tutje janë përcjellë në Tiranë, pasi gjendja e tyre është e rëndë.

Më datë 04.07.2021, rreth orës 06:45, në fshatin Pulaj-Plazhë, rruga Nr.5, Velipojë, Shkodër, në një hotel tre katësh ka shpërthyer një bombul gazi, ku si pasojë janë dëmtuar shtetasit A. Gj. 40 vjeçe, D. Gj. 19 vjeçe, K. Gj. 15 vjeçe, dhe E. Gj. 12 vjeç, të cilët u dërguan për ndihmë mjeksore më të specializuar në Spitalin e Traumës Tiranë”, njoftoi policia e Shkodrës.

Me mbërritjen e të lënduarve (nga djegiet) në repartin e djegie plastikës, nëna me tre fëmijët e saj janë duke iu nënshtruar një trajtimi intensiv.

“Paraditen e sotme pranë Shërbimit të Djegie Plastikës janë parqitur pacientët A.Gj mosha 40 vjeç, D. Gj mosha 19 vjeç, K. Gj mosha 15 vjeç dhe E. Gj mosha 11 vjeç . Pas konsultës së parë mjekësore është konstatuar se pacientët kanë djegie të rënda në trup. Aktualisht janë duke u trajtuar me mjekim intensiv dhe në ndjekje të vazhdueshme nga stafi mjekësor”, thuhet në njoftimin e QSUT.

Si ndodhi ngjarja

Mëngjesin e të dielës, gruaja e cila është pronarja e hotelit, ka tentuar të ndezë një bombul gazi për të bërë kafen. Një rrjedhje e gazit ka sjellë flakët e më pas një shpërthim të fortë. Zjarri ka përfshirë dhe dhomën ku qëndronin të plagosurit, e më tutje të gjithë katin e parë, çka të lë të kuptosh se të tjera bombula gazi kanë shpërthyer.

Zjarrfikësit e policia që shkuan në vendngjarje kanë nxjerrë prej aty edhe disa bombula të paplasura. Mbetet ende për t’u konfirmuar nga autoritetet se sa bombula gazi kanë shpërthyer. Një prej të afërmve të të lënduarve, tregon momentin kur erdhi pranë hotelit. Sipas tij, gruaja së bashku me fëmijët kishin hyrë në pishinën e hotelit dhe se gjendja e tyre ishte e rëndë.

“Pata dal poshtë për të blerë bukën dhe ndjeva shpërthimin. Kur vij këtu, i gjej ata të gjithë në pishinë.

Më tregoi ime shoqe, është çuar (pronarja) me bërë një kafe. Sa ka ndezur bombulën e vogël për kafen, ka shpërthyer.

Gjendja e tyre është shumë e rëndë. Kanë djegie komplet të trupit.”-tha i afërmi.