Si po përgjaken rrugët, tre qytetarë humbën jetën mbrëmjen e djeshme në Tiranë

 Si po përgjaken rrugët, tre qytetarë humbën jetën mbrëmjen e djeshme në Tiranë

Një aksident tragjik ndodhi mbrëmjen e djeshme në Kodër Kashar, ku për pasojë humbën jetën tre persona.

Shoferi në moshë të re, humbi kontrollin e automjetit dhe u përplas me një mur anësor të një banese në lagjen Valias. Automjeti u shkatërrua plotësisht në pjesën e përparme dhe i mori jetën pasagjerëve, dy vëllezërve me inicialet I.S e B.S, 56 e 53 vjeçare, si dhe shtetasit me iniciale D.D, 50 vjeç.

29 vjeçari që drejtonte makinën arriti t’i shpëtojë vdekjes dhe aktualisht është vënë nën arrest nga policia e Tiranës.

“Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Z. S.(M.), 29 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin tip “Opel” ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga duke u përplasur me murin e një banese. Si pasojë kanë humbur jetën 3 pasagjerët në mjet, shtetasit I. S., 56 vjeç, B. S., 53 vjeç (vëllezër) dhe D. D., 50 vjeç. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.”-njoftoi policia.

Thuajse përditë në Shqipëri, rrugët e vendit ‘mbulohen’ në vdekje e plagosje, për të mos folur për dëmet financiare. Shkaqet janë të panumërta, nga moszbatimi i rregullave deri tek mungesa e sinjalistikës apo sigurisë rrugore. Në vitin 2020 e 2021, pavarësisht pandemisë e uljes relative të qarkullimit rrugor, sërish aksidentet marrin jetë të panumërta.