“S’mund të punoj më për 15 euro ditën” Drejt Gjermanisë për një rrogë dhjetëfish më të madhe

 “S’mund të punoj më për 15 euro ditën” Drejt Gjermanisë për një rrogë dhjetëfish më të madhe

Erijoni vjen nga Istogu. Po pret t’i dalë viza për t’u larguar drejt Gjermanisë. Në krah ka dhe prindërit dhe ka mbërritur në ambasadën gjermane në Prishtinë.

19 vjeçari me profesion është automekanik dhe thotë se nuk do më të punojë për 15 euro në ditë, kur ka mundësinë që të ikë jashtë vendit e të marrë një rrogë afro 10 fish më të madhe.

“Për më shumë se tetë orë punë jam paguar 15 euro, atje [në Gjermani] do të paguhem 17 euro për orë”, tregon Erijoni për REL.

Në dokumentet e sjella për aplikimin për vizë, i riu kishte dhe një kontratë pune. Tregoi se një familjari i tij ia kishte siguruar dhe se shpreson që brenda javës, edhe ai të marrë përgjigje për vizën e të mund të ikë.

Edhe pse të brengosur për ikjen e djalit të tyre, babai e nëna e Erijonit thonë se është mbase e vetmja zgjidhje që djali i tyre të ketë një jetë më të mirë… kush prind nuk do të donte që fëmija të kishte jetën më të mirë, më të bukur e më të lumtur?

“Nuk e kam menduar që do të bëhet kështu, por tash nuk kam çfarë të bëj, më vështirë nuk ka ku shkon”, tha babai i tij, Ismet Shala, veteran i luftës në Kosovë.

Nuk janë të paktë të rinjtë që i gjen në radhë para ambasadës gjermane në Prishtinë.

“Jam lënduar në vendin e punës dhe nuk kam marrë asnjë kompensim nga punëdhënësi. Edhe pse kam probleme me këtë këmbë të lënduar, unë do të shkoj të punoj në Gjermani dhe nuk dua të jetoj e as të punoj më në Kosovë”, tha për REL një qytetar që nuk pranoi të identifikohej.

E në fakt ky duket një realitet që po prek ndjeshëm Kosovën… dhe jo vetëm. Edhe Shqipëria prej vitesh vuan nga largimi i mijëra të rinjve, të cilët nuk e shohin të ardhmen e tyre në vend, por më mirë zgjedhin të largohen drejt BE-së për një punë e jetë më të mirë.

Artikullin e plotë të REL e gjeni KETU