“S’munda ta shpëtoj dot tim shoq nga lava” Rrëfimi i trishtë i një gruaje të moshuar

 “S’munda ta shpëtoj dot tim shoq nga lava” Rrëfimi i trishtë i një gruaje të moshuar

Një shpërthim vullkanit në pjesën lindore të Kongos la pas shkatërrimin e qindra shtëpive dhe disa dhjetëra jetë të humbura, ndërsa lava e ndaloi ‘marshimin’ fare pranë qytetit të Gomas.

I gjithë qyteti u zgjua në panik mbrëmjen e të shtunës, teksa Mali Niragongo, një prej vullkanëve më aktiv në botë, shpërtheu papritmas duke e ‘skuqur’ të gjithë qiellin.

Photo/ Reuters

15 vetë humbën jetën, teksa lava erdhi e gllabëroi shtëpitë e tyre. Shumë njerëz kanë humbur dhe familjarët e tyre mendojnë për më të keqen.

Kjo skenë apokaliptike i kujtoi njerëzve në këtë zonë të varfër ngjarjet tragjike të vitit 2002, ku sërish për shkak të shpërthimit vullkanit, humbën jetën 250 persona ndërsa 120 mijë të tjerë mbetën të pastrehë. Qindra banorë të zonës atje u larguan në këmbë. Dikush u mundua të marrë ato pak plaçka, ndërsa disa të tjerë u munduan të vrapojnë sa më parë në kufirin me Ruandën.

Photo credit: REUTERS/Olivia Acland

E teksa u zbardh dita e dielë, pamjet ishin dramatike. Një grumbull masiv i llavës, i ngurtësuar në disa vende e në disa ende i kuq flakë, i cili ishte shtrirë për thuajse 2 kilometra në zonat përreth qytetit të Gomas.

Photo credit: REUTERS/Olivia Acland

Një prej shumë të prekurve nga kjo tragjedi ishte dhe një grua në moshë, 68 vjeçare. Ajo quhet Ernestine Kabou dhe për median tha disa fjalë që të thyejnë zemrën. Në momentin kur llava po ‘gllabëronte’ shtëpinë e tyre, ajo u mundua të mbante të shoqin e sëmurë. U mundua ta nxirrte nga shtëpia nën flakë, por nuk mundi.

“I thash vetes, unë s’mund ta lë tim shoq. U mundova ta çoj e ta mbaj në krahë për ta nxjerrë jashtë, por nuk munda. Vrapova ndërsa ai u dogj brenda në shtëpi… nuk di se çfarë të bëj, e mallkoj këtë ditë”.

Burimi: ‘Reuters’/ Përshtati “Shqiptarët për Shqiptarët.info”

Një foto e shkreput nga lart, e cila tregon sesi lava ka hyrë në rrethinat e qytetit të Gomas/ Foto e shkrepur nga Justin Kabumba për Associated Press