Studimi: Fëmijët që kalojnë shumë kohë para ekranit, shfaqin probleme me agresivitetin e vëmendjen

 Studimi: Fëmijët që kalojnë shumë kohë para ekranit, shfaqin probleme me agresivitetin e vëmendjen

Photo by Andi Graf/Pixabay

Fëmijët që shpenzojnë më shumë kohë përpara ekranit (celularit, tv, etj), janë më të prirur të shfaqin probleme në sjellje si agresioni, vështirësi me vëmendjen dhe ankth.

Kështu ka konkluduar një studim i publikuar nga “JAMA Psychiatry”, i cili ka marrë në shqyrtim 87 studime me të dhëna nga 160 mijë fëmijë të moshave të vogla (12 vjeç e më të vegjël).

Sipas të dhënave, qëndrimi për një kohë të gjatë i fëmijëve me celularë është i asociuar me afro 20% risk më të lartë në sjelljet problematike. Dy janë elementët e sjelljes problematike në të tilla raste, agresioni i shtuar dhe mungesa e vëmendjes.

“Kur fëmijë poshtë moshës 12 vjeçe, rrinë për shumë orë në ditë përpara celularit apo ekraneve të tjera (tv, laptop, ipad, etj), veprimet e tyre asociohen me problematika të sjelljes, agresionin e mërzitjen”-shpjegoi bashkë-autorja e studimit Sheri Madigan.

Një sërë studimesh janë kryer veçanërisht gjatë kohës së pandemisë, të cilët kanë konkluduar se qëndrimi i fëmijëve për kohë të gjata në celular, ka sjellë dukshëm në një rritje të problematikave të sjelljes dhe uljen e ndjeshme të aktivitetit fizik.

“Kur fëmijët rrinë për kohë të gjata përballë ekranit, kjo lë pak kohë që ata të angazhohen me aktivitete që ne e dimë mirë që janë të rëndësishme për rritjen e tyre, përfshi këtu aktivitetin fizik, gjumin, leximin e të tjera aspekte të shëndetshme”-tha studiuesja.

Mund të thuhet se veçanërisht përgjatë pandemisë, koha që fëmijët qëndruan përpara celularëve apo ekraneve thuajse u dyfishua.