Të rrezikosh veten dhe të tjerët… për një video në rrjetet sociale

 Të rrezikosh veten dhe të tjerët… për një video në rrjetet sociale

Përdorimi i rrjeteve sociale dhe internetit ka dobitë e veta në aspektin e komunikimit e relatave njerëzore. Por kur celulari apo rrjetet sociale në veçanti përdoren gjatë drejtimit të automjeteve, peshorja anon ndryshe. Jo të pakta janë rastet kur njerëzit kanë pësuar aksidente apo ndërruar jetë për shkak të përdorimit të celularit në makinë.

Dy ditë më parë në rrjet u publikua video e një të riu i cili braktisi drejtimin e makinës së tij për t’u ngjitur në tarracën  automjetit… teksa makina vijonte të ecte. E gjithë kjo skenë u filmua, për t’u përcjellë më tutje si një video në rrjetet sociale (Tik Tok).

Këtë të hënë, policia njoftoi se e ka identifikuar dhe ndaluar të riun, i cili me veprimin e tij mund të ishte bërë kollaj burim aksidenti për të tjerët dhe veten.

Fjala është për një 34 vjeçar nga Tepelena. Policia njoftoi se e ka gjobitur të riun, e ka shoqëruar në komisariat si dhe i ka marrë lejen e qarkullimit.

Publikoi video duke kryer veprime të rrezikshme për sigurinë e jetës në rrugë, gjatë drejtimit të mjetit, shoqërohet në Polici, 34-vjeçari nga Tepelena.

Ndëshkohet me 60.000 lekë të rinj gjobë dhe me bllokim mjeti.

Shërbimet e Policisë Rrugore, duke marrë shkas nga publikimi i një videoje në rrjetet sociale, ku shfaqej një drejtues automjeti që kryente manovra të rrezikshme në rrugë, kanë identifikuar dhe shoqëruar në ambientet e Policisë, shtetasin A. K., banues në Tepelenë. Ky shtetas, më datë 17.07.2021, rreth orës 13:00, në rrugën e brendshme të fshatit Dragot, Tepelenë, ka kryer manovra të rrezikshme në rrugë duke drejtuar mjetin tip “Volkswagen”.

Për këtë shtetas është vendosur masa administrative 60.000 lekë të rinj, me sanksion plotësues ndalim administrativ i mjetit dhe tërheqje e lejes së qarkullimit për manovra të rrezikshme në rrugë, mosndryshim të pronësisë së mjetit brenda afatit dhe mosshlyerje të masave administrative brenda afatit ligjor.

Policia Rrugore apelon për respektim të rregullave të qarkullimit rrugor, për përgjegjshmëri e përgjegjësi për sigurinë e jetës gjatë drejtimit të automjetit, pasi cilido që do shkelë rregullat e qarkullimit apo do kryejë manovra të rrezikshme në rrugë, që cenojnë rëndë sigurinë rrugore do përballet me Policinë Rrugore, në zbatim të plotë të Kodit Rrugor.

Policia Rrugore falënderon qytetarët dhe median, për denoncimet e adresuara për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe fton cilindo që do rregullin e ligjin të denoncojë pa hezitim çdo paligjshmëri, duke i garantuar anonim të plotë, reagim të menjëhershëm e të paanshëm.“-njoftuan autoritetet.