Tentoi disa herë të shtypë me makinë çiftin, ky është oficeri që parandaloi krimin

 Tentoi disa herë të shtypë me makinë çiftin, ky është oficeri që parandaloi krimin

Një 39 vjeçar me inicialet T.M ka tentuar t’i marrë jetën dy personave ditën e djeshme në Tiranë, duke u munduar t’i shtypë me makinën e tij.

Ngjarja e pazakontë ndodhi në bulevardin ‘Migjeni’ në Yzberisht. 39 vjeçari u përlesh fillimisht fizikisht me G.M për shkak të një debati për motive të dobëta. Por më pas situata agravoi deri aty sa 39 vjeçari tentoi dy herë të shtypë me makinë G.M dhe bashkëshorten e tij.

Fatmirësisht pranë ndodhej një oficer policie (civil), i cili ka ndërhyrë dhe neutralizuar 39 vjeçarin.

Më poshtë në video gjeni momentet kur 39 vjeçari tenton të shtypë çiftin dhe çastet e ndalimit të tij nga oficeri i ‘shqiponjave’ Shkëlzen Tafa. Video u publikua nga Tv Ora

NJOFTIMI I POLICISË:

Parandalohet nga shërbimet e Policisë, përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti që mund të përfundonte në vrasje të dyfishtë. Tentoi të godiste me mjet, një shtetas dhe bashkëshorten e tij, arrestohet në flagrancë 39-vjeçari. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas njoftimit të marrë se në bulevardin “Migjeni” po konfliktoheshin dy shtetas, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje.

Rastësisht në vendngjarje është ndodhur një punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, i cili ka ndërhyrë menjëherë. Falë ndërhyrjes së tij në kohë është bërë i mundur parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit që mund të përfundonte në një vrasje të dyfishtë, pasi shtetasi T. M. po tentonte të godiste me mjet shtetasin G. M. dhe bashkëshorten e tij. Në ndihmë të punonjësit të “Shqiponjave” kanë mbërritur më pas edhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, të cilët kanë bërë të mundur prangosjen e shtetasit T. M.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasit T. M dhe G. M. fillimisht kishin debatuar për motive të dobëta në rrugën “Besim Alla” dhe pas disa minutash, tek bulevardi “Migjeni” ishin konfliktuar përsëri me grushte me njëri-tjetrin. Pas konfliktit, shtetasi T. M. ka marrë mjetin e tij dhe ka tentuar dy herë të godiste me mjet shtetasin G. M. dhe bashkëshorten e tij, por pasi nuk ia ka arritur qëllimit, ka dëmtuar më pas mjetin e shtetasit G. M.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit T. M., 39 vjeç, për veprat penale “Vrasja” e mbetur në tentativë”, “Shkatërrim i pronës me dashje‘’dhe’’Plagosja e lehtë me dashje’’.

Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi G. M., 36 vjeç, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje’’.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.